Me rihapjen e fabrikave të Formulës 1 më 2 janar, nisi një garë intensive për të qenë sa më i përgatitur në momentin e së vërtetës. Kur të gjitha këto ide, supozime dhe zona gri të dalin në pah në realitetin e ri të kategorisë mbretërore me rregulloren e vitit 2026. Drejt pikave kyçe si testet në Barcelonë dhe Bahrejn, si edhe gara e parë në Australi, ekipet synojnë të mbërrijnë me një avantazh që duket gjithnjë e më i qartë se do të përqendrohet në një aspekt të vetëm: motorin.

“Mund të jetë një rregullore e dominuar nga motori”, paralajmëroi prej muajsh Adrian Njuei, projektuesi i makinës Aston Martin. Britaniku ishte një nga të parët që vlerësoi se njësitë e fuqisë do të kenë një ndikim vendimtar. Ato janë të reja dhe mbështeten në tri shtylla kryesore: një sistem të balancuar 50/ 50 mes djegies së brendshme (ICE) dhe energjisë elektrike, një sistem hibrid vetëm me ‘K’, si dhe përdorimin e karburantit të qëndrueshëm. Dhe gjithnjë e më shumë duket se ky skenar është real.

Zhurmat rreth avantazheve të Mercedesit dhe marrëdhënies së tij me kompresionin e ndryshueshëm ishin tashmë një sinjal i qartë. Madje edhe FIA nuk ngurron të theksojë se motori mund të krijojë diferencat e para që në debutim. “Shpresoj që faktori kryesor të jetë djegia e brendshme. Ka debutues dhe një rregullore të re, ndaj do të ketë diferenca”, deklaroi drejtori i makinave në FIA, Nikolas Tombazis.

Megjithatë, ai beson se nuk do të përsëritet një dominim si në epokën hibride, kur Mercedesi sundoi kampionatin. “Ka procedura që u lejojnë të tjerëve të afrohen me më të mirët, do të jetë diçka e përkohshme”, theksoi ai, edhe pse vendosi një afat relativisht të largët për këtë barazim. “Do të ketë një konvergjencë fillestare dhe ajo mund të ndodhë pas rreth gjashtë muajsh ose një viti”, pranoi Tombazis. Në një farë mënyre, Tombazis i jep të drejtë vizionit të Njueit dhe asaj që ekipet e tjera kanë lënë të kuptohet.

“Është një rregullore interesante dhe si rregullat aerodinamike, ashtu edhe ato të njësive të fuqisë hapin mundësi për të gjithë. Mund të ketë variacione në fillimin e sezonit”, shtoi britaniku. Mesazhi i tij ishte i qartë, dhe puna te Aston Martin po shkon pikërisht në këtë drejtim. Jo më kot, Andi Kouell nisi të punojë ngushtë me Hondën pasi la postin e shefit të ekipit. Nga fabrika japoneze vijnë vazhdimisht sinjale pozitive për motorin e tyre: tingulli i tij, ndezja në Kampusin Teknologjik në Silverston apo edhe festa e prezantimit. Qëllimi është i qartë: që Aston Martin, tashmë si ekip zyrtar, të jetë në luftë për majat që nga fillimi i epokës së re.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb