Në ambientet e Universitetit të Arteve të Bukura u mbajtën homazhe për gazetarin, analistin dhe intelektualin e njohur Artur Zheji, i cili u nda nga jeta papritur në moshën 64-vjeçare.
I pranishëm në homazhe ishte edhe ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo, i cili ndau kujtimet e tij personale dhe profesionale me Zhejin, duke vlerësuar thellësisht punën dhe ndikimin e tij në opinionin publik shqiptar.
“Me Zhejin kam rreth 27 vjet që jam njohur, më ka marrë intervistë e parë në gazetar në Romë, ku unë isha ministër i jashtëm dhe ai punonte për radion Radicale. Që aty vendosëm bashkëpunim miqësor që vazhdoi gjatë gjithë periudhës si ministër i jashtëm, por në mënyrë të veçantë pas vitit 2002 kur ai u përfshi në mënyrë aktive në median shqiptare si drejtues i disa programeve të rëndësishme në kanale të ndryshme shqiptare, për të arritur atë që sot opinion publik e nderon, në majat e publicistikës shqiptare. Me një stil të veçantë, fjalor tejet të përpunuar, ndërthurej mes një gazetarie ekspresive por edhe mendimi të thellë filozofik, Zheji është një nga gazetarët më të shquar që është marrë me çështjen kombëtare në përgjithësi, por në mënyrë të veçantë për Kosovën”, tha Milo.
