Deklarata e Presidentit Macron më 24 Korrik se Franca do të njohë zyrtarisht Shtetin e Palestinës gjatë Sesionit të rradhës të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator në Nju Jork e ndezi akoma më shumë situatën politike në Lindjen e Mesme dhe kudo. Gjatë gjithë këtyre javëve kanë vijuar debatet, kundërshtimet dhe komentet, kritike dhe lavdëruese në Francë dhe në shumë kancelari të botës.

Ky akt i ri diplomatik francez ka rëndësi të veçantë nisur nga gjendja në Lindjen e  Mesme që është tendosur më shumë se kurrë  më parë. Lufta 12 ditore Izraelite me mbështetjen e fuqishme amerikane kundër Iranit në qershor, demarshet e shumta diplomatike për armëpushim dhe paqe në Lindjen e  Mesme dhe ca më tepër tablloja tragjike me zhvillimet dramatike dhe çnjerëzore të javëve të fundit në Gaza kanë krijuar një dinamikë me kërkesa të reja ulëritëse; kësisoj ka ridalë natyrshëm në krye të axhendës gjeopolitike edhe Çështja Palestineze; madje tani si element përcaktues i zgjidhjes së rebusit gjeopolitik në atë rajon problematik. Ca më tepër mbasi kanë dështuar demarshet e deritanishme diplomatike për paqe të menaxhuar bashkë me mendimin  dritëshkurtër se paqja atje mund të  bëhet dhe pa Palestinën. Ashtu si tentativat për ta zgjidhur krizën ” duke zgjidhur qesen” siç bëri më 2019 Presidenti Trump, kur  i premtoi Palestinës 50 miliard Euro; të cilën Presidenti i Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas e refuzoi, duke deklaruar se ” Palestina nuk është tokë në shitje”!.

Ndaj dhe jehona ndërkombëtare e deklaratës së Presidentit Macron për njohjen e Palestinës do të vazhdojë të jetë në qendër të vëmendjes politiko-diplomatike ndërkombëtare.

Por qëndrimi francez nuk do reduktuar te njohja e Palestinës, as do parë ”bardh e zi” dmth duke e mohuar ose pohuar, dhe duke e diabolizuar apo fetishizuar atë.

Pavarësisht nga rezervat dhe kritikat e rastit, është fakt i pamohueshëm se ky qëndrim përfaqëson një hap dhe hop gjeopolitik në politikën e jashtme të Francës, me ndikime të pritshme dhe afat-gjatë në BE, në Lindjen e Mesme dhe më gjerë.

Mbi bazën e këtyre premisave, më poshtë po ndalemi në pluset dhe minuset bashkë me problemet dhe mundësitë politike dhe diplomatike që krijon njohja e Shtetit të Palestinës nga një vend i madh si Franca dhe më vonë  nga vende të tjera.

Brenda vendit, duke patur parasysh komunitetet masive me origjinë arabe dhe myslimane dhe në përgjithësi ndjenjat pro-palestineze në rritje, ky përbën një plus dhe avantazh për Makronin, Presidencën, të ardhmen dhe trashëgiminë e tij politike. Ashtu siç krijon dhe fërkime në komunitetin hebre në Francë, Këshilli i të cilëve në deklaratën e tij më 26 korrik e quan atë akt si ” gabim diplomatik dhe rrezik politik” me pasoja të rënda për paqen në Lindjen e Mesme dhe më gjerë.

Gjithsesi, në aspektin gjeopolitik, shumica e analistëve dhe politologëve bashkohen në mendimin se njohja e Palestinës  është plus gjeopolitik për Francën dhe Presidentin Macron. Pas disfatës me Pranverën Arabe dhe në krizën e tanishme në Lindjen e Mesme, ku Parisi dhe Brukseli ishin më shumë spektatorë, ky demarsh i ri intrigues diplomatik synon të rigjallërojë rolin e diplomacisë franceze në përgjithësi dhe në atë rajon në veçanti, duke i dhënë një rol dhe tone më të forta.

Njohja e Palestinës ka rëndësi të veçantë mbasi Franca nuk është shtet do si do, por me peshë planetare gjeopolitike dhe ushtarake. Eshtë shtet me emër dhe tradita, një ndër shtatë vendet më të zhvilluara demokratike të botës,  Anëtar i Përhershëm i KS të OKB-së, boshti i BE-së me Gjermaninë dhe fuqi bërthamore.

Kësisoj, Franca bëhet vendi i parë i G 7 që e njeh Palestinën. Me synimin që shembullin e saj ta ndjekë dhe Britania e Madhe; gjë që Kryeministri Starmer e deklaroi se do ta bëjë  po në shtator, nëse Izraeli nuk bën paqe në Gaza dhe nuk mbështet zgjidhjen me dy shtete. Po ashtu, Shtetin e Palestinës do ta njohin në shtator në Nju Jork edhe Kanadaja, Australia, Portugalia dhe 10 vende të tjera me peshë. Edhe Gjermania është shumë afër kësaj faze, por e ka të vështirë ta hedhë qysh tani këtë hap nisur nga trashëgimia naziste, përgjegjësia për Holokaustin dhe mbështetjen tradicionale ndaj Izraelit. Gjithsesi,  më 8 Gusht, Kancelari Merz bëri një ndryshim historik në qëndrimin ndaj Izraelit, duke njoftuar ndalimin e eksportit gjerman  të armëve dhe pajisjeve ushtarake për Tel Avivin.  Një ndryshim që ka hasur në shumë kundërshtime dhe kritika dhe vetë brenda  radhëve të CDU-/CSU-së dhe Grupit të saj Parlamentar. Nën një trysni në rritje nga brenda, më 11 Gusht, Kancelari Merz ndërpreu pushimet verore dhe shkoi në Berlin ku sqaroi pozicion e vet të ri dhe të papritur politik. Ndërsa Kryeministrja Meloni e ka kundërshtuar këtë ide me justifkimin se nuk mund të njohësh një shtet që nuk ekziston. Po duket qartë se trysnia nga opinioni i gjerë publik në këto vende me peshë dhe gjetkë po rritet dita ditës; shumica dërmuese janë për një qëndrim më të ashpër ndaj Tel Avivit dhe njohjen e Palestinës, si pjesë jetike  e zgjidhjes me dy shtete. Megjithë kritikat jo të pakta, kjo lëvizje diplomatike rezultoi e suksesshme.

Gjithsesi qëndrimi francez pro-palestinez nuk do të thotë se Franca ka ndonjë inat politik ndaj Izraelit. Përkundrazi, përherë, dhe më 7 Tetor 2023 ajo dënoi fort aktin terrorist të Hamasit, duke i qëndruar pranë popullit hebrej dhe që historia e Holokaustit të mos përsëritet më.

Por, ndërkohë, Parisi nuk mund të rrijë duarlidhur e të bëjë sehir kur në Gazë, siç pranohet kudo praktikisht po ndodh një gjenocid tjetër, kur janë vrarë mbi 60.000 civilë,  shumica gra, vajza dhe fëmijë; kur mijra palestinezë të pafajshëm po vdesin për bukën e gojës, kur Izraeli ka bombarduar pa mëshirë shumë objekte civile dhe kërkon ta pushtojë  Gazën.

Gjithashtu, njohja franceze vjen në momentet kur përkrahja ndërkombëtare për Palestinën sa vjen dhe rritet kudo. Ndryshe nga fillimi, tani po e ndajnë ” shapin nga sheqeri” dmth Hamasin terrorist nga populli palestinez.

Ndërkohë, nëse lidhur me sulmet izraelite kundër Iranit ekziston dakordësi e përgjithshme se nuk ka shkelje të së drejtës ndërkombëtare, ca më tepër se  Izraeli është i vetmi vend demokratik atje, ekzistenca e të cilit kërcënohet nga Irani, ky konsensus mungon kur vjen fjala për sulmet barbare në Gaza me mijra viktima.

Nisur nga këto shqetësime tronditëse, më 21 Korrik, 28 ministra të jashtëm të vendeve perendimore i kanë kërkuar me forcë Izraelit që t’i japë fund bombardimeve pa dallim dhe tërheqjen nga Rripi i Gazës. Po kështu, 30 vende të Grupit të Hagës kanë dënuar sulmet  në Gaza dhe janë shprehur në favor të shtetit të Palestinës.

Ndërkohë, kritikat dhe rezervat se Macron duhet të ishte konsultuar paraprakisht me BE-në në Bruksel nuk janë plotësisht të sakta, sepse secili vend anëtar i BE-së ka të drejtat e veta në fushën e politikës së jashtme; madje, janë  sidomos shtete të mëdha si Franca që i japin tonet dhe formësojnë këtë politikë.

Element tjetër, madje dhe më i rëndësishmi në qëndrimin e ri francez është se njohja e Shtetit të Palestinës është vetëm akti i parë.  Ai duhet dhe do të shoqërohet përpjekje të tjera intensive në disa drejtime e në bashkëpunim me shumë vende të tjera për zgjidhjen e nyjes gordiane palestineze, sipas konceptit të ”zgjidhjes me dy shtete”. Ndaj tani demarshet duhen shtrirë në  pranimin dhe fillimin e zbatimit të këtij koncepti jetik, si alternativa më realiste dhe më e qëndrueshme për paqe të përhershme në Lindjen e Mesme. Dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres theksoi më 28 korrik se ” zgjidhja me dy shtete duket e pamundur por është pa alternativë”

Mirëpo këtu po ”has sharra në gozhdën” amerikane dhe izraelite që e kundërshtojnë me forcë këtë zgjidhje. Pikërisht këtë ”gozhdë” synon ta shkulë njohja e shtetit të Palestinës, si fillim i procesit bashkë me komponentët e tjerë.

Për këtë qëllim, më 28 – 29 Korrik, me nismën Franko-Saudite u zhvillua në selinë e OKB-së në Nju Jork një takim i posaçëm me praninë e  mbi 60 ministrave të Jashtëm, por pa SHBA-të dhe Izraelin, i cili iu kushtua pikërisht zgjidhjes me dy shtete. Përfshirja e Arabisë Saudite krahas Turqisë dhe vendeve të tjera, të cilat  duan  marrëveshje paqe me Izraelin, por me kusht që ai të pranojë zgjidhjen me dy shtete është me rëndësi të veçantë në këtë proces.

Vetëkuptohet se kjo zgjidhje nuk do të vijë vetvetiu dhe as brenda natës,  ca më pak me deklarata dhe rezoluta, qoftë dhe të OKB-së. Ajo do të jetë rrjedhojë e një seri ngjarjesh dhe sekuencash diplomatike shumëplanëshe. Gjithsesi, këtu ”topi diplomatik” do të luhet më shumë në fushën e Izraelit, i cili duhet të heqë dorë nga planet për zhdukjen  nga faqja e dheut të Gazës dhe dëbimit masiv të palestinezëve. Ai duhet të ndërpresë ndërtimet e paligjshme të vendbanimeve në Bregun Perendimor,  të luftojë nga brenda për të krijuar një klimë tjetër më mirëkuptuese dhe të përkushtohet në negociata serioze për zgjidhjen me dy shtete. Me besimin që, siç e pohoi Ministri i Jashtëm francez Jean Noëll Barrot më 28 korrik, zgjidhja me dy shtete nuk do ta dobësojë, por do ta forcojë më tej sigurinë në Izrael.

Gjithashtu kjo kërkon që Tel Avivi të distancohet nga ideja se njohja e shtetit të Palestinës  gjallëron, inkurajon dhe shpërblen Hamasin. Franca e ka bërë të qartë dhe në paketën gjithëpërfshirëse që ajo propozon me këtë rast, se zgjidhja me dy shtete do të vijë pas armëpushimit në Gaza, çarmatosjes së Hamasit dhe largimin e tij nga administrimi i Gazës, i cili do t’i kalojë  Autoritetit Palestinez. Por paraprakisht ky i fundit do të duhet të reformohet çka fillon me denoncimin dhe distancimin e tij të prerë nga Hamasi dhe aktet e tij terroriste. Këtë denoncim e bëri pak kohë më parë Presidenti i Autoritetit Palestinez Abbas në letrën që i ka dërguar Presidentit Macron; këtë distancim të prerë e bëri në fjalën e tij më 29 korrik në Takimin në Nju Jork edhe Kryeministri i Palestinës, Mohammad Mustafa.

Në këto kushte dhe rrethana, po ushtojnë fort kambanat e dilemës hamletiane: ” a do të bëhet zgjidhja e këtij rebusi në Lindjen e Mesme  ME apo PA Palestinën? Nëse detyrimisht me Palestinën, atëhere çështja madhore që shtrohet është si do të përfshihet Autoriteti Palestinez në këtë proces historik, pa të cilin, vështirë, për të mos thënë e pamundur të ketë paqe dhe stabilitet në Lindjen e Mesme?

Prandaj, është koha që Autoriteti Palestinez të fillojë të luajë një rol shumë më aktiv. Gjatë disa dekadave deri në vitin 2007 ka patur shumë punë, përpjekje, arritje  dhe dështime në procesin e paqes, dy intifada palestineze, nënshkrimi i  Marrëveshjes së Paqes së Oslos në vitin 1993, por dhe plot mungesa dhe pengesa.

Pa mohuar​vështirësitë dhe sfidat e vështira me të cilat i është dashur të ndeshet sidomos vitet e fundit për shkak të dinamikave të ndërlikuara, do thënë se lidershipi i Autoritetit Palestinez ka shfaqur në disa raste frymë apatie dhe afera negative; ato kanë ndikuar në uljen e efektivitetit të veprimtarisë së tij  për realizimin e  objektivit madhor historik, krijimin e Shtetit të Palestinës.

Ja pse gjendja e tanishme kërkon detyrimisht mobilizimin e lidershipit palestinez, që dhe ai të jetë në lartësinë e sfidave të mëdha që ka përpara.

Ndryshe, pa Palestinën ”në bord” gjithçka do të jetë dështim ose arritje e përkohshme, nga e cila të gjithë por në radhë të parë populli palestinez do të ketë ”pak qar dhe shumë zarar”. Ka ardhur koha që krijimi i shtetit të Palestinës në paqe, siguri dhe harmoni me Izraelin të mos shihet më si pjesë, por si zgjidhje e rebusit gjeopolitik në Lindjen e Mesme.

Së fundi, me gjithë respektin për ndonjë  analist apo dhe shkrimtar të mirënjohur, krahasimi prej tyre i Palestinës me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut nuk është fare relevant ose përkatësor. Sepse bëhet fjalë për kushte dhe rrethana gjeopolitike, historike, ekonomike dhe ushtarake tërësisht të ndryshme, të cilat e bëjnë të pamundur çdo krahasim ndërmjet tyre nga çdo anë që ta marrësh.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb