25 vjeçarja Noelia Castillo dje mbylli sytë përgjithmonë

U mbyll dje në mënyrë tragjike historia e Noelia Castillos, e reja spanjolle që jetoi vitet e fundit me dhimbje të mëdha, si fizike ashtu edhe emocionale.

Vuajtja e rëndë e shtyu Noelian që në vitin 2024 të kërkonte eutanazi. Të enjten (dje), në moshën 25-vjeçare, kërkesa iu realizua dhe jeta e saj e vështirë mori fund.

Noelia Castillo, e cila kishte mbetur paraplegjike pas një tentative vetëvrasjeje në vitin 2022, iu nënshtrua eutanazisë të enjten pasdite në një qendër të specializuar në Sant Pere de Ribes të Barcelonës, ku jetonte.

Një jetë e mbushur me vuajtjeIntervista e fundit

Pak ditë para se të ndërronte jetë, ajo foli për emisionin Ahora Sonsoles në kanalin televiziv Antena 3.

Në intervistë, Castillo shpjegoi se vendimi i saj i kishte rrënjët në një jetë familjare të trazuar, pas ndarjes së prindërve kur ajo ishte 13 vjeçe. Ajo kaloi kohë në një qendër sociale të mbikëqyrur, ku u përdhunua nga një grup emigrantësh nga Lindja e Mesme.

Në tetor 2022, ajo tentoi vetëvrasje. Edhe pse mbijetoi, mbeti e paralizuar dhe e detyruar të përdorte karrocë invalidi. Ky moment u bë pika e kthesës, që e çoi drejt vendimit për eutanazi.

“Iu kam thënë si dua të jetë. Dua të vdes bukur. Do të vesh fustanin tim më të bukur dhe do të lyhem. Do të jetë diçka e thjeshtë”, tha ajo, duke shtuar se dëshironte të ishte vetëm në momentin e fundit.

“Dua të iki tani dhe të ndaloj së vuajturi, pikë! Asnjë nga familja ime nuk është pro eutanazisë. Po me gjithë dhimbjen që kam përjetuar këto vite çfarë bëhet? Nuk kam dëshirë për asgjë… gjumi është shumë i vështirë për mua dhe kam dhimbje në shpinë dhe këmbë”, shpjegoi ajo.

“E arrita më në fund. Le të shohim nëse mund të qetësohem, sepse nuk e duroj më këtë familje, dhimbjen, gjithçka që më mundon. Nuk dua të jem shembull për askënd, është thjesht jeta ime”, tha ajo.

Për të atin shtoi: “Nuk e respektoi vendimin tim dhe nuk do ta bëjë kurrë… Pse më do gjallë? Që të më mbajë në spital?”.

Ajo rrëfeu gjithashtu se i kishte refuzuar kërkesën nënës së saj për të qenë pranë saj në momentin e fundit: “Nuk dua të më shohë teksa mbyll sytë. Do të preferoja të themi lamtumirë para se iki nga kjo jetë dhe më pas, nëse dëshiron të vijë në varrim”.

Pas transmetimit të intervistës ku njoftoi vendimin, lindi një debat i fortë në Spanjë mes atyre që e mbështetën dhe të tjerëve që i dërguan mesazhe në rrjetet sociale duke e nxitur të mos zgjidhte eutanazinë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Reagime nga politika dhe Kisha

Një mikeshë e saj e fëmijërisë, Karla Rodríguez, bëri një përpjekje të dëshpëruar dje për ta bindur të ndryshonte vendim. Ajo shkoi në spital rreth një orë para procedurës dhe, duke bërtitur, iu lut sigurisë ta lejonte të takonte Noelian për një përpjekje të fundit. “Doja të përpiqesha ta bindja të ndryshonte mendim”, thërriste Rodríguez, e cila ishte e shoqëruar nga vajza e saj 6-vjeçare. Megjithatë, siguria nuk e lejoi të hynte në qendër për ta takuar apo për ta ndaluar.

Rasti arriti edhe në parlamentin spanjoll, ku kryetarja e Kongresit, Francina Armengol, urdhëroi heqjen nga procesverbalet të deklaratave të një deputeti të partisë Vox, i cili e quajti eutanazinë “ekzekutim”.

Politikania e partisë Vox, Isabel Pérez Moñino, deklaroi: “Si grua, si nënë dhe si spanjolle, dua të denoncoj një shtet që i ktheu shpinën një viktime”. Partia Vox ka shprehur vazhdimisht kundërshtimin ndaj legalizimit të eutanazisë, duke argumentuar se shteti duhet të mbrojë jetën edhe në rastet e sëmundjeve të rënda.

Ndërkaq kreu i Konferencës Ipeshkvnore Spanjolle, Luis Argüello, tha se dhimbja e të resë “trondit”, por theksoi se “lehtësimi i vërtetë nuk është vetëvrasja”. Një nënkomision i Kishës foli për “prishje të lidhjes së kujdesit” dhe e cilësoi eutanazinë si “humbje shoqërore kur paraqitet si përgjigje ndaj vuajtjes njerëzore”.

Ndërkohë, anëtarë të komuniteteve fetare u mblodhën jashtë qendrës shëndetësore duke u lutur dhe kënduar, ndërsa protesta u zhvilluan edhe në qytete të tjera me mesazhin “Noelia, nuk je vetëm”.

Në Barcelonë u zhvillua edhe një tubim i vogël, ku njerëzit vendosën lule dhe u lutën në kujtim të saj.

Noelia kaloi në një rrugë të gjatë ligjore iniciuar nga i ati

Vetëvrasja e asistuar është ligjore në Spanjë që nga qershori 2021. Për vajzën aplikimi për eutanazi ishte vetëm fillimi i një procesi të gjatë dhe kompleks, kryesisht për shkak të kundërshtimit nga familja e saj.

Kërkesa e Noelias u miratua më 18 korrik 2024 nga Komisioni i Garancisë dhe Vlerësimit në Katalonjë, i cili vlerësoi se ajo plotësonte të gjitha kushtet ligjore: një gjendje klinike e pakthyeshme që shkaktonte varësi të madhe, dhimbje dhe vuajtje kronike.

Megjithatë, në gusht të po atij viti, babai i saj, i mbështetur nga një grup fetar konservator, nisi një betejë ligjore për ta ndaluar procesin, duke pretenduar se ajo nuk ishte në gjendje të merrte një vendim të tillë. Çështja kaloi nëpër pesë nivele gjyqësore: Gjykata e Barcelonës, Gjykata e Lartë e Drejtësisë e Katalonjës, Gjykata Supreme, Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Asnjë nga këto organe nuk e kundërshtoi vendimin e gruas së re. Të gjitha konkluduan se ajo i plotësonte kërkesat dhe ishte e aftë të vendoste për jetën e saj.

“Ai nuk e ka respektuar vendimin tim dhe nuk do ta bëjë kurrë,” tha Castillo për të atin. “E kuptoj që është baba, që nuk do të humbasë një vajzë“, reflektoi Castillo në intervistën e saj. Ajo shtoi se ndihej e hutuar sepse nuk kishte një marrëdhënie të ngushtë me të. “Ai më injoron. Pse pra më do gjallë? Që të më mbajë në spital?” tha ajo.

Beteja që zhvilloi, në fund të fundit, i mundësoi asaj të zbatonte vendimin e saj. “Më në fund ia dola dhe tani ndoshta më në fund mund të pushoj”, i tha ajo gazetares së Antena 3. ”Nuk mund ta duroj më këtë familje, nuk mund ta duroj më dhimbjen, nuk mund ta duroj gjithçka që më mundon në kokën time”.

Castillo i tha lamtumirë të gjithë familjes së saj dhe kërkoi që në momentet e saj të fundit, ajo të lihej e qetë. “Nuk dua askënd brenda» dhomës së saj, tha ajo. “Nuk dua që të më shohin teksa mbyll sytë”.

Korniza ligjore në Spanjë

Eutanazia është e ligjshme në Spanjë që nga viti 2021, nën kushte të rrepta dhe kontroll nga komisione të posaçme.

Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2024 u miratuan 426 kërkesa për vetëvrasje të asistuar.

Rasti i Noelias ka rihapur debatin publik mbi kufijtë e ligjit dhe rolin e shtetit përballë personave me sëmundje të rënda dhe të pakthyeshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb