Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, mbajti një fjalim gjatë takimit me shqiptarët e Greqisë në Athinë, ku theksoi se shpopullimi dhe plaçkitja e Shqipërisë ishin pjesë e një projekti politik të orkestruar nga Edi Rama dhe mbështetësit e tij.
Noka e akuzoi Ramën për dëbimin e shqiptarëve nga vendi dhe për krijimin e një narkoshteti, ku ‘narko-euroja ka shndërruar Shqipërinë në lavatriçen e pastrimit të parave të drogës.’
Ai theksoi se situata e rëndë e vendit është pasojë e politikave të dëmshme të qeverisë aktuale dhe bëri thirrje për një ndryshim të menjëhershëm në zgjedhjet e 11 majit, për të shpëtuar Shqipërinë nga ky kaos.
Noka: I dashur kryetar i PD dhe kryeministri i pas 11 majit, Profesor Doktor Sali Berisha.
I dashur zoti Beleri, Papastavros, zoti Gjekmarkaj, zoti Dule, Ina, Eno, Sorina, Andrea, të dashur miq, të dashur bashkëkombas. Kjo ngrohtësi e madhe me të cilët ju na pritët na motivon, na frymëzon, por paralelisht kjo sallë dhe salla të tilla të tejmbushura, na bëjnë të përjetojmë edhe dhimbje, një dhimbje të madhe kur shohim se jashtë atdheut ka më shumë shqiptarë se në atdheut tonë.
Na dhemb shumë kjo zbrazje e Shqipërisë sepse ne e duam atë. Do të mjaftonte vetëm shpopullimi i qëllimshëm i këtij vendi, për ta kyçur Edi Ramën në ferr sëbashku me qindra kusarët e tij, pasi ai pas vitit 2013 ka pasur vetëm një projekt, shpopullimin e vendit dhe plaçkitjen e tij.
Edi Rama dhe rilindja e kishin si projekt edhe krijimin e narkoshtetit, pasi Shqipëria u kthye në lavatriçe e pastrimit të parave të drogës. Narko-euro e ka zhvlerësuar paranë tuaj që çoni për familjet tuaja.
Këto para kanë blerë zgjedhje, kanë blerë diplomatë perëndimorë në Shqipëri dhe kanë stisur një propagandë ‘fake’ se Edi Rama po i çon vaj punët e Shqipërisë.
(Balkanweb)
