Në dosjet e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, mes mijëra emaileve, mediat kanë publikuar dhe një komunikim mes pedofilit të dënuar Jeffrey Epstein dhe princeshës mbretërore norvegjeze Mette-Marit.

Kryeministri norvegjez, Jonas Gaard Store, tha se princesha mbretërore e vendit, Mette-Marit, tregoi “gjykim të dobët” duke mbajtur kontakte afatgjata me abuzuesin e dënuar seksual Jeffrey Epstein.

Korrespondenca e Mette-Marit me Epstein është përfshirë në “paketën” e re të dokumenteve të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë të premten e kaluar.

Mette-Marit u kritikua ashpër gjatë fundjavës pasi emri i saj u shfaq qindra herë në korrespondencën e Epstein.

Dokumentet përfshijnë email-e që datojnë nga viti 2011 deri në vitin 2014, të cilat zbulojnë një ton intimiteti, si dhe faktin se princesha kaloi katër ditë në rezidencën e Epstein në Palm Beach në janar 2013.

Ajo kërkoi falje të shtunën për marrëdhënien e saj me Epstein dhe i përshkroi kontaktet e saj me të si “të turpshme”, sipas një deklarate të lëshuar nga pallati norvegjez.

“Unë tregova gjykim të dobët dhe më vjen keq që kam pasur kontakt me Epsteinin”, tha Mette-Marit.

“Jeffrey Epstein është përgjegjës për veprimet e tij. Unë duhet të marr përgjegjësinë që nuk e hetova më me kujdes të kaluarën e Epstein dhe që nuk e kuptova më herët se çfarë lloj personi ishte ai. Më vjen shumë keq për këtë dhe është një përgjegjësi që duhet ta marr”, shtoi ajo.

Ajo shprehu gjithashtu “ngushëllime dhe solidaritet të thellë me viktimat”.

Disa nga dosjet e korrespondencës së Epstein kanë tërhequr vëmendjen. Në një nga mesazhet, Mette-Marit i referohet Epstein si “shumë i dashur”. Në një tjetër, pasi Epstein zbulon se është “në kërkim të grave” në Paris, ajo përmend se “Parisi është i mirë për kurorëshkelje” dhe shton se “vendet skandinave kanë materiale më të mira për gratë”.

Në një email tjetër, Mette-Marit pyet nëse është e përshtatshme që një nënë të sugjerojë një letër-muri për dhomën e djalit të saj 15-vjeçar, ku shfaqen dy gra të zhveshura që mbajnë një dërrasë.

Zbulimet vijnë në një kohë të ndjeshme për familjen mbretërore norvegjeze. Djali 29-vjeçar i Mette-Marit, Marius Borg Højby – i cili nuk mban një titull mbretëror – do të dalë në gjyq në Oslo të martën, i akuzuar për kryerjen e 38 veprave penale.

Ai akuzohet për përdhunimin e katër grave, ndër të tjera, dhe gjithashtu përballet me akuza  të lidhura me drogën. Ai i mohon më të rëndat prej tyre, por rrezikon të përballet me deri në dhjetë vjet burg nëse dënohet.

Motra e Metter-Marit, Princesha Märtha Louise, bëri bujë në vitin 2024 pasi u martua me një shaman amerikan të vetëshpallur, i cili, ndër të tjera, pretendonte se kishte parashikuar sulmet e 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara . Historia e tyre e pazakontë e dashurisë është subjekt i një dokumentari në Netflix të quajtur “Rebel Royals”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb