Norvegjia po përjeton një rritje të ndjeshme të turizmit, ndërsa udhëtarët nga e gjithë bota po orientohen drejt vendeve me klimë më të freskët. Vetëm gjatë verës së vitit 2024, janë regjistruar plot 16.7 milionë netë qëndrimi, duke shënuar një rekord të ri.
Për të përballuar pasojat e mbingarkesës turistike, autoritetet norvegjeze kanë rishikuar planet për një tarifë të re për turistët. Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Cecilie Myrseth, bëri të ditur se taksa e propozuar është reduktuar nga 5% në 3% të kostos së një nate akomodimi. Kjo tarifë do të jetë vullnetare dhe do të implementohet sipas vendimit të komunave, të cilat do të kenë lirinë ta përshtatin në përputhje me sezonin dhe fluksin e turistëve.
Të ardhurat e mbledhura do të investohen në projekte që përmirësojnë përvojën e banorëve dhe turistëve, si për shembull, ruajtja e shtigjeve natyrore dhe ndërtimi i tualeteve publike. Megjithatë, kjo tarifë nuk do të aplikohet për udhëtarët që nuk qëndrojnë në struktura zyrtare të akomodimit – si pasagjerët e anijeve turistike, vizitorët ditorë dhe kampistët në natyrë – të cilët shpesh akuzohen se ndikojnë më shumë në ndotjen mjedisore, pa kontribuar financiarisht.
Edhe pse ligji ende nuk ka kaluar në parlament, qeveria shpreson që ai të hyjë në fuqi që gjatë kësaj vere. Megjithatë, ka kundërshtime nga disa parti politike dhe aktorë të sektorit të turizmit, të cilët frikësohen se kjo taksë mund të ndikojë negativisht në numrin e vizitorëve dhe në të ardhurat e industrisë.
Interesi në rritje për destinacionet veriore shpjegohet pjesërisht nga temperaturat ekstreme në vende si Spanja dhe Italia. Për më tepër, dukuri të rralla si drita veriore (aurora boreale) dhe “turizmi i natës” (nokturizmi) kanë bërë që Norvegjia të shndërrohet në një magnet për ata që kërkojnë përvoja natyrore të veçanta dhe larg turmave të zakonshme.
