Sezoni 2024–2025 në Superiore ishte një përzierje e emocioneve në fushë dhe problemeve të thella.

Gara për titullin me skemën e aplikuar, normalisht që do të shkonte deri në ndeshjen e fundit, por gjatë kampionatin, tribunat vazhduan të ishin bosh në pjesën më të madhe të vitit. “Final 4” tregoi se mund të shohim edhe ndeshje shumë të bukura dhe me nivel të lartë, por barazimet e shumta gjatë kampionatit treguan gjithashtu pasojat e një loje shumë të kujdesshme.

Egnatia e meritoi plotësisht titullin, ndërkohë që ekipet kryesuese u shfaqën të lodhura në javët vendimtare. Finalja solli më shumë tifozë dhe atmosferë, por kampionati mbeti i plagosur nga gabimet e arbitrave dhe prania në rritje e të huajve që po zbehin identitetin vendës. Ky ishte një sezon me ritëm të mirë, por që jashtë tij vazhdon të kërkojë një strategji më të qartë për rritjen e cilësisë dhe kthimin e besimit te publiku.

POZITIVE Përballja finale Egnatia-Vllaznia tërhoqi më shumë tifozë në stadium sesa finalja e vitit të kaluar, një shenjë që kur përballja është reale, interesimi i publikut ngjallet. Një tjetër aspekt pozitiv ishte gara deri në fund për katër vendet e para, ku Partizani dhe Elbasani kishin një kampionat më vete, Dinamo dhe Vllaznia më vete për vendin e dytë. Ndërkohë, emocione pati edhe në luftën për mbijetesë, ku gjithçka u vendos vetëm një javën e fundit. Një tjetër pikë, ishte zbulimi i disa lojtarëve që dalluan, apo aktivizimi i disa të rinjve premtues te Tirana apo Dinamo e Partizani. Dominim i merituar: Egnatia tregoi qartësisht stabilitet, organizim dhe lojë funksionale, duke u bërë një kampion i bindshëm dhe duke ngritur nivelin e konkurrencës.

NEGATIVE Përveç ndeshjeve gjysmëfinale, finales dhe disa derbi mes Tiranës dhe Partizanit, stadiumet ishin kryesisht bosh. Ky është një sinjal alarmi për klubet dhe federatën që lidhja me tifozët po zbehet. Skema favorizoi barazimet. Skema aktuale nxiti rezultate të kujdesshme, me shumë ekipe që luanin për të mos humbur. Kjo solli një kampionat me shumë barazime dhe pak ndeshje të hapura. Rënie e formës në javët e fundit: Skuadrat kryesuese, përfshirë Egnatian, Dinamon, Vllazninë, shfaqën dobësi në fundin e sezonit. Një tjetër pikë ishte se gjatë pjesës së dytë të sezonit, numri i të huajve arriti në shtatë për skuadër. Kjo i zbeh shanset për futbollistët shqiptarë dhe e bën kampionatin më të varur nga jashtë. U pa që u aplikua nga disa ekipe. Gabimet e shumta nga gjyqtarët ishin një tjetër aspekt. Vendime të dyshimta, mungesë e standardit dhe ndërhyrje që ndikuan drejtpërdrejt në rezultate, arbitrimi ishte një nga plagët të këtij sezoni.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb