VLORE – Në Novoselë u shpërndanë 150 certifikatat e para të pronësisë mbi tokën bujqësore, ku i pranishëm ishte Kryeministri Edi Rama. Tapitë e tokës bujqësore janë një nga premtimet e qeverisë Rama, që i jep zgjidhje përfundimtare problemit 25-vjeçar të pronësisë mbi tokën bujqësore.
“Certifikatat e pronësisë për tokën bujqësore, falas. Do të ndiqet modeli i legalizimit të shtëpive në zonat informale. Një mesazh, të gjithë fermerëve, të gjitha familjeve që jetojnë prej vitesh me tokën; shërbimi plotësisht falas nga ana shtetit, përmes një bashkëpunimi tanimë të ndërtuar mes bashkive, njësive administrative dhe hipotekës. Përveç burokracisë, problem për fermerët ka qene tarifa e papërballueshme për të përgatitur dokumentacionin. Qeveria merr tërësisht përsipër këtë kosto. Marrja e titullit të pronësisë është një proces jetik.”- deklaroi kryeministri.
Më tej shefi i qeverisë sqaroi mënyrën se si duhet të veprojë çdo kryefamiljar, për të marrë certifikatën e pronësisë së tokës.
“Kryefamiljari të paraqitet në bashkinë përkatëse, përmes njësive administrative të depozitojë kërkesën, aktin e marrjes së tokës në pronësi dhe certifikatën familjare. Mjaftojnë këto 3 dokumente për të marrë certifikatën e pronësisë së tokës bujqësore.”- deklaroi Rama.
(er.nu/BalkanWeb)
