Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar deklaratat lidhur me ngjarjet e 21 janarit 2011, duke theksuar se gjatë asaj dite ishte i rrethuar në zyrë dhe se ndaj tij u ndërtua, sipas tij, një kurth përmes falsifikimit të dokumenteve.
Berisha u shpreh se në dokumentin e paraqitur si provë për një korrupsion të pretenduar të zv/kryeministrit të asaj kohe, në versionin fillestar ai dilte i përfshirë, por më pas kjo u tërhoq. “Nëpërmjet ‘cut and paste’, dokumenti kalonte nga sekondi i 25-të në sekondin e 32-të dhe më pas thanë se nuk isha i përfshirë,” deklaroi ai, duke akuzuar Edi Ramën për falsifikim të qëllimshëm të provave.
Sipas Berishës, përgjegjësia e tij nuk qëndron te akuzat e ngritura ndaj tij, por te mënyra se si ai ka menaxhuar protestat gjatë qeverisjes. “Përgjegjësia ime ishte se kam trajtuar me standarde demokratike 752 protesta të opozitës, pa asnjë cenim, në përputhje me rregullat e një vendi demokratik,” tha ai.
Ai theksoi se gjatë protestës së 21 janarit pati akte dhune, përfshirë hedhje gurësh dhe përdorim armësh zjarri, të cilat sipas tij janë të dokumentuara. “Plumbat dhe revolet u drejtuan ndaj kryeministrit në detyrë,” u shpreh Berisha.
Duke iu referuar qëndrimit të tij gjatë ngjarjes, Berisha tha se nuk u largua nga zyra dhe nuk pranoi evakuimin. “Nuk blindova dyer unë, blind isha vetë unë. Nuk e lashë zyrën, nuk jam frikacak që ja mbath. Isha në të drejtën time,” deklaroi ai, duke shtuar se edhe në ato orë vazhdonte punën në zyrë.
Berisha theksoi se zgjedhjet e zhvilluara gjatë qeverisjes së tij ishin në përputhje me standardet kryesore ndërkombëtare, sipas OSBE/ODIHR. Ai shtoi se ndërkohë Edi Rama, sipas tij, qëndronte në një godinë përballë dhe priste momentin për të mbajtur një fjalim para protestuesve, gjë që, sipas Berishës, nuk ndodhi.
Në përfundim, Berisha e cilësoi ngjarjen e 21 janarit si fatkeqe dhe theksoi se ka kërkuar që atë natë hetim ndërkombëtar, duke insistuar vazhdimisht për këtë kërkesë. “Nuk i heq asnjë fjalë nga ato që kam thënë. Ai i meriton, sepse hyri në një lojë të turpshme,” përfundoi Berisha.
