Parlamenti i Iranit votoi të mërkurën për të pezulluar bashkëpunimin e vendit me mbikëqyrësin bërthamor të OKB-së, Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), njoftoi media shtetërore IRIB.
Vendimi i Asamblesë Konsultative Islamike të Iranit, i njohur si Mexhles, tani do të duhet të ratifikohet nga Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare i kryesuar nga Presidenti Masoud Pezeshkian.
Kryetari i parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, tha se Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) refuzoi të dënonte sulmet izraelite dhe amerikane ndaj objekteve bërthamore të Iranit dhe se “ka vënë në ankand besueshmërinë e saj ndërkombëtare”.
Të dielën, pas sulmeve amerikane në vendet bërthamore iraniane, komiteti i sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme i parlamentit i propozoi legjislaturës që Ngushtica e Hormuzit, e cila shtrihet në bregdetin jugor të Iranit, të mbyllet. Ky vendim në fund të fundit do të merret edhe nga Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare.
IAEA ka kërkuar rifillimin e marrëdhënieve të saj me Iranin, të ndërprera nga sulmet e paprecedentë të Izraelit ndaj objekteve bërthamore në vend, duke filluar nga 13 qershori./CNN
(BalkanWeb)
