“Një njeri që nuk do ta harroj kurrë”.
Kështu e ka konsideruar Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka, ish- kryeministrin Fatos Nano që u nda sot nga jeta në moshën 73-vjeçare.
Në një postim në rrjetet sociale, Duka deklaron se shqiptarët ishin me fat që patën në një epokë të vështirë një njeri tolerant, social-liberal dhe të ditur si ai.
“Një njeri me një zgjuarsi të lindur, por edhe i thellë në dituri. Ai udhëhiqej nga dashuria për njerëzit. Nuk dinte të hakmerrej, por dinte të falte”, shkruan ai.
Postimi i plotë:
Njeriu në jetë njeh shumë njerëz, por jo të gjithë lënë gjurmë të thella si nëna, babai e familja.
Një njeri që unë nuk do ta harroj kurrë ishte Fatos Nano.
Një njeri me një zgjuarsi të lindur, por edhe i thellë në dituri. Ai udhëhiqej nga dashuria për njerëzit. Nuk dinte të hakmerrej, por dinte të falte.
Shqiptarët ishin me fat që patën në një epokë të vështirë një njeri tolerant, social-liberal dhe të ditur si ai.
U prehsh në paqe, miku im. Qofsh i parajsës!
