Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi të shtunën se nuk është ende gati të arrijë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës me Iranin, edhe pse sipas tij pala tjetër duket e interesuar për negociata.
Në një intervistë telefonike për NBC News, Trump tha se kushtet aktuale nuk janë të mjaftueshme për një marrëveshje. Ai nuk specifikoi se cilat janë kërkesat e sakta të Uashingtonit, por theksoi se braktisja e plotë e ambicieve bërthamore nga Irani do të ishte një prej tyre.
Presidenti amerikan bëri të ditur gjithashtu se SHBA po punon me vende të tjera për një plan sigurie për Ngushticën e Hormuzit, ndërsa çmimet ndërkombëtare të naftës kanë pësuar rritje të ndjeshme. Ai minimizoi shqetësimet e qytetarëve amerikanë për rritjen e çmimeve të karburantit, duke thënë se situata është nën kontroll.
Sipas Trump, forcat amerikane dhe ato izraelite kanë neutralizuar shumicën e raketave dhe dronëve të Iranit dhe aftësitë ushtarake të Teheranit mund të shkatërrohen plotësisht brenda dy ditësh.
Ai konfirmoi gjithashtu se forcat amerikane kanë goditur ishullin Kharg, ku ndodhet një terminal i rëndësishëm i naftës iraniane. Sipas tij, infrastruktura energjetike nuk u shkatërrua plotësisht për të shmangur dëme që do të kërkonin vite për t’u riparuar. “Mund ta godasim edhe disa herë, vetëm për qejf”, u shpreh ai.
Trump ngriti gjithashtu dyshime për gjendjen e udhëheqësit të ri suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei, i cili nuk është shfaqur publikisht që nga marrja e detyrës pas vdekjes së të atit. “Kam dëgjuar se ai mund të mos jetë gjallë. Nëse është, duhet të bëjë diçka të zgjuar për vendin e tij dhe të dorëzohet”, deklaroi presidenti amerikan.
Në intervistë, Trump kritikoi edhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, duke thënë se është më e vështirë të arrihet një marrëveshje me të sesa me presidentin rus Vladimir Putin. Komentet vijnë në një moment kur SHBA ka lehtësuar disa sanksione ndaj naftës ruse për të mbajtur të ulëta çmimet e energjisë.
Ndërkohë, sipas autoriteteve amerikane, 13 ushtarë amerikanë kanë humbur jetën që nga fillimi i konfliktit, përfshirë gjashtë persona të vrarë të premten në një rrëzim avioni ushtarak në Irak.
