Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Jola Hysaj ka rrëfyer sot për News 24, momentet kur kreu i PD-së, Sali Berisha u godit nga një 31 vjeçar gjatë protestës së djeshme.

Sipas saj, frika më e madhe ishte agravimi i situatës pasi turma mësoi se Berisha u godit. Ajo hodhi dyshime se si policia që ishte fare pranë nuk e pengoi agresorin.

Sa larg ishte Berisha?

Një metër. Çdo gjë ishte para syve tanë. Jam shokuar në atë moment sepse ishte e papritur. Çdo gjë ishte kundër një organizimi shumë miqësor dhe i një proteste shumë normale dhe paqësore. Askush nuk e priste se do të ndodhte diçka e tillë.

Çfarë patë ju?

Ishte dora e këtij zotërisë kundër Berishës. Nga një ecje normale u kthye në një shpërfytyrim i secilit prej nesh në atë momente. Askush nuk e priste. Para Berishës qëndrojnë gjithmonë mediat.

Ky person arriti të depërtonte…

Kjo ishte më e çuditshmja se askush nuk e priste. Berisha ka menduar që po i afrohej një qytetar që do ta takonte.

U trembët?

Jo vetëm që u trembëm por nuk e dinim si do të vazhdonte situata. Ishte provokim i qartë për të pasur rrëmujë dhe për të agravuar situatën. Turma ishte shumë e revoltuar dhe nuk e dinim si do të reagonte turma ndaj policisë e cila ishte vetëm disa hapa larg nesh. Nuk e paskan parë këta që ishte një i “sëmurë” siç thuhet?

Çfarë informacionesh iu kanë ardhur sot?

Ky sulm ishte i parapërgatitur. Goditja aq precize me të majtën do të thotë që e ka parë në detaje të gjithë lëvizjen që është bërë. Në deklaratën e tij tha “bëra atë që duhet të bëja”. Jetojmë në një shoqëri ku mesazhet dita ditës po vijnë gjithmonë edhe më të forta.

Cfarë iu tha Berisha?

Fjalët e para ishin “mos e godisni më mjeranin”. Me ne nuk tha asnjë fjalë, eci përpara.

Kush ia dha ndihmën e parë?

Ia dha stafi i tij. Ne nuk e dinim si të reagonim. Mesazhi i tij ishte të ecim përpara, pavarësisht çfarë pengese që na del.

Thatë që ishte shumë pranë irritimit të turmës, por më pas u shmang. E udhëhoqi Berisha qetësimin e situatës?

Qetësimi i situatës erdhi nga ne që ishim rreth tij. Nuk ishte qëllimi jonë që të agravohej situata. Mesazhet që vijnë nga ajo ngjarje për ne lënë shije të hidhur sepse ishte mesazh për këdo nga ne që ishim prezentë aty. Ky mesazh ishte bumerang për Qeverinë. Qytetarët nuk duhet të qëndrojnë pasivë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: