Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për “Corriere della Sera”, ka folur në lidhje me protestat që vijojnë prej 40 ditësh në Shqipëri, ku kërkohet largimi i qeverisë dhe dorëheqja e kryeministrit, kërkesë kjo e cilësuar si e panegociueshme nga qytetarët.

I pyetur në lidhje me gjuhën fyese të përdorur ndaj protestuesve, Rama është shprehur:

“Nëse diçka që thashë ka lënduar njerëz të sinqertë që protestojnë nga shqetësimi për natyrën, jam plotësisht i gatshëm të them: Më vjen keq. Por nuk pranoj barazimin e qytetarëve të sinqertë me fabrikat e shpifjes, propagandën politike, llogaritë anonime, shpifësit, kërcënimet dhe histeristët. Unë flas me të parët. Unë angazhohem me të dytët”.

Sa i përket kërkesës për dorëheqje, Rama është shprehur se kjo nuk do të ndodhë dhe se mandati i tij është i qartë.

“Në një demokraci, dorëheqjet nuk vendosen nga megafonët, por nga institucionet dhe qytetarët përmes votimit. Unë kam një mandat të qartë. Kushdo që mendon se duhet të largohem ka të drejtë të organizohet, të garojë dhe të fitojë zgjedhje. Kjo është demokraci. Një ultimatum nuk është demokraci”, tha ai.

Kryeministri u shpreh se protestat nisën si kundërshtim ndaj projektit në Zvërnec, por tashmë janë kthyer në protesta kundër qeverisë, gjë të cilën ai nuk e konsideron problematike.

“Ato filluan nga shqetësimi për projektin. Sot ato janë gjithashtu një protestë politike kundër qeverisë. Ky nuk është problem. Opozita ka të drejtë të protestojë. Problemi lind kur mjedisi përdoret si kostum për një luftë për pushtet që nuk ka të bëjë fare me flamingot, lagunën apo ligjin”, tha Rama.

Gjatë këtyre ditëve, Rama ka akuzuar protestuesit se janë mashtruar apo se janë financuar nga agjentura të huaja. Në intervistë, ai u shpreh se manipulimi ka ndodhur kryesisht në hapësirën digjitale.

“Po flas për ndërhyrje dixhitale, jo për qytetarë që dalin në rrugë. Këto janë dy gjëra të ndryshme. Kemi parë amplifikim artificial nga jashtë, përdorim masiv të VPN-ve, llogari anonime, platforma të lidhura me ekosisteme propagande dhe aktorë keqdashës. Institucionet do të publikojnë raportin e tyre. Por dua të jem i qartë: ndërhyrja e huaj nuk i zhvlerëson protestat e qytetarëve të sinqertë. Ajo vetëm tregon se shqetësimet e tyre po përdoren nga të tjerët për qëllime të tjera”, tha ai.

Lidhur me ndikimin e protestave në rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, Rama tha se për sa kohë tubimet janë paqësore, ato nuk kanë ndikim negativ.

“Jo. Protestat paqësore nuk e dëmtojnë procesin. Përkundrazi, ato tregojnë një shoqëri të lirë. Ajo që do ta dëmtonte procesin evropian do të ishte zëvendësimi i sundimit të ligjit me presionin e rrugës, ose kthimi i dezinformimit në politikat publike”, përfundoi Rama.

Pyetjes së medias italiane nëse ka diçka që mund të ishte bërë më mirë gjatë këtij muaji për menaxhimin më t1% mirë të situatës, Rama u përgjigj: “Sigurisht që ka gjëra që mund të ishin bërë më mirë. Gjithmonë ka. Por nuk pendohem që nuk bëra atë që kërkoi turma dixhitale: shpalljen e një gjyqi fajtor para se të kishte ndonjë provë dhe ndalimin e një projekti para se të kishte një projekt. Puna ime nuk është të pëlqehem në çdo kohë. Puna ime është të mbroj ligjin, interesin publik dhe të ardhmen e Shqipërisë.”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: