Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, me fokus të veçantë hetimet e SPAK dhe qëndrimin e opozitës ndaj prokurorisë speciale.

Këlliçi u shpreh se ka qenë kritik ndaj prokurorit Dritan Prençi, i cili hetonte çështjen e lidhur me inceneratorin e Tiranës dhe Belinda Ballukun, për mungesën e hetimeve në të kaluarën. Megjithatë, ai theksoi se qëndrimi i tij ndryshon në momentin kur vëren një hetim serioz dhe të qëndrueshëm.

“E kam kritikuar prokurorin Dritan Prençi për mos-hetimin e inceneratorit të Tiranës, por në momentin që shoh se ka një hetim serioz, duke marrë parasysh gjithë presionin e kryeministrit, bandave kriminale dhe medias qeveritare ndaj këtij prokurori dhe SPAK për ta mbyllur këtë çështje, është momenti për të thënë faleminderit, për t’i përgëzuar publikisht dhe për t’u dhënë përkrahje,” deklaroi Këlliçi.

Ai shtoi se kjo mbështetje shoqërohet me pritshmërinë që standardet e hetimit të ruhen edhe në të ardhmen. Sipas tij, Partia Demokratike ka mbajtur një qasje konstruktive në kritikat e saj ndaj drejtësisë.

“Kemi qenë konstruktivë në kritikat që kemi bërë. Nuk e kam quajtur kurrë SPAK-un ‘SKAP’. Ky është qëndrimi im. Zoti Berisha ka qëndrimin e tij,” u shpreh deputeti demokrat.

Në vijim, Këlliçi foli edhe për situatën e opozitës, duke theksuar se ndaj saj janë ngritur akuza dhe janë arrestuar liderë kryesorë nga SPAK-u, një zhvillim që sipas tij ka ndikuar ndjeshëm në klimën politike në vend.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb