Futbolli shqiptar vjen me risi për sezonin që vjen, teksa Superliga dhe Kategoria e Parë kanë ndryshuar format. Superliga ka ruajtur numrin e skuadrave pjesëmarrëse, me 10, edhe 4 fazat nuk ndryshojnë, por për titullin kampion do të luhet “final 4”, me 4 ekipet e renditura të para që do tu zerohen pikët në fund dhe do të luajnë mes tyre me tek ndeshje me njëra-tjetrën për titullin kampion. Ndërsa Kategoria e Parë, nga 14 skuadra, reduktohet në 12 dhe me fazën e tretë një risi më vete. Eduard Prodani, ish-sekretari i përgjithshëm i FSHF-së ka dhënë një intervistë për Sport News në News 24 duke dhënë këndvështrimin e tij për ndryshimet e fundit.


Në kohë rekord, zoti Prodani, u propozuan dhe diskutuan për ndryshime të formateve, dhe nuk kaloi as 10 ditë dhe u miratuan ndryshimet. Si i gjykoni këto ndryshime?

E thatë vetë, në kohë rekord. Duke u nisur nga fakti që u bë shpejt, do të thotë se është diçka e pa menduar mirë dhe e pa studiuar mirë. Përgjithësisht merren vendime të shpejta dhe të çuditshme. Koha ka treguar se klubet nuk kanë zë, edhe kur kanë mendim nuk e thonë. Mund t’i dëgjosh duke folur në kafene, por jo në asamble. Ishte rrufe në qiell të hapur. Formula është vendosur shumë vite më përpara. Një vend i vogël me numër të vogël lojtarësh, kjo është arsyeja se përse u vendos kjo formula.

Vite më parë, nëse do të ndryshohej formati, ai hynte në fuqi një sezon më pas, pse ky nxitim kësaj here, direkt në sezonin e ri?

Kjo është bërë rutinë. Ndërrimet e formulave bëhen të mbështetura mbi statistika dhe mendime ekspertësh, bëhen gjithashtu me paralajmërime. Duhet që klubet të marrin masat e përshtatjes, ndaj në shumë vende u thuhet ekipeve 2 sezone para. Formula e re? Për mua ky është një veprim i gabuar, ky veprim mund të dëmtojë futbollin shqiptar. Kjo është një formulë për basketboll.

Si ju duket formula e re, “final 4” në fund të sezonit?

Një absurd i ngjashëm është aplikuar në Kategorinë e Parë para disa sezonesh. Përgjysmoheshin pikët, pra diccka e ccuditshme. Pra, tani i bie që disa skuadra e kapin kollaj vendin e katërt kështu që nuk impenjohen shumë dhe vetëm përgatiten për ndeshjet e Final Four. Kjo është shumë problematike. Futbolli europian ka treguar se çdo javë duhet vlerësuar, e jo vetëm në fund.

Sa do të ndikojë kjo në ekipet e renditura më poshtë, sidomos në ato që luftojnë për të mbijetuar?

Edhe mund të ndikojë. Një ekip që e ka siguruar top 4, mund të tolerojë për të favorizuar një nga skuadrat e fundit. Ne nuk jetojmë në hënë, por në tokë. Federata luan rolin e vet, arbitrat gjithashtu. Mundet që të ndikohet lufta për qëndrimin.

Nëse ju do të kishit në dorë një propozim, çfarë do të sugjeronit?

Ajo që duhet të bëjë Federata është sigurim i integritetit të garës. Ky është çelësi, pasi nga aty vjen sponsori. Duhet të na kishin shpjeguar, për shembull, ja kjo aplikohet në Rumani, na ka sjellë këto të mira etj.

Tirana ka qenë kundër, Partizani dhe Teuta të dyzuar, klubet e tjera nuk janë ndjerë, ndërsa Komiteti Ekzekutiv merr vendim. Po Liga Profesioniste ku është në këtë rast?

Liga Profesioniste nuk ekziston. Ligë Profesioniste do të thotë një organizëm që menaxhon situatën në futboll. Nuk ka kuptim. Nuk e di pse Tirana ka qenë kundër. Unë besoj se kjo skemë fuqizon idenë e një kampionati me rezultate jo të merituara.

Ndryshime formule janë bërë edhe në Kategorinë e Parë. Nuk ka pasur mbledhje me përfaqësuesit e klubeve, a mendoni që duhet të ishin ftuar në tryezë, pasi nesër 2-3 prej tyre do të ishin në Superiore?

Kur nuk janë pyetur klubet e Superiores, si mund të pyeten klubet e Kategorisë së Parë. Vendimet duhet të mbështeten  në interesat e grupeve të interesuara. Kështu menaxhohet, shteti, qeveria, futbolli etj.

Po kaloj nga kampionati te Kombëtarja, është e disata herë që FSHF gjobitet nga sjellja e tifozëve, sic ishte edhe rasti i fundit për ndeshjen me Moldavinë. Cfarë duhet të bëjë FSHF që të ndalojë këtë eufori të tifozëve me flakadanë dhe tymuese?

Ky është një aspekt ku nuk ka shumë faj Federata.  Kjo ndodh në shumë vende të tjera. Federata duhet të punojë. Federata duhet  të gjejë si përgjegjësi për ecurinë e skuadrës një mënyrë komunikimi me tifozët. Ka të bëjë edhe defekti i forcave të sigurisë. Kjo situatë nuk është fundi i botës, Federata po shpërdoron shumë para në vende të tjera.

Prodani, pyetja e fundit, a jemi afër kualifikimit në Euro 2024, e përcaktojnë ndeshjet e shtatorit?

Nuk e di si do shkojë, personalisht më pëlqeu ky trajner. Duhet të themi fjalë të mira për teknikun. Vijmë pas dy dështimeve. Këtu kemi qëlluar me një trajner që mesa duket nuk është pa gjë. Të shpresojmë te kualifikimi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb