GJAKOVË

Anulimi i mbledhjes së dy qeverive Shqipëri-Kosovë që do të mbahej sot në Gjakovë nuk është një lajm i mirë, jo vetëm për këtë qytet, por edhe për Kosovën.

Kështu shprehet në një intervistë për gazetarin e News24 Ergys Gjençaj kryetari i komunës së Gjakovës që vjen nga partia AAK e Ramush Haradinajt, Ardian Gjini. Ai tha se i mirëpret dy qeveritë më 14 qershor të vitit 2024.

“Nuk është lajm i mirë për Gjakovën. Kjo ceremoni ka qenë paksa e zbehur dhe më herët, për shkak të disa problemeve që ne i kemi në Veri. Shpresoj që do ta mbajnë mend dhe më 14 qershor 2024 kur të festojmë një çerek shekulli në liri i presim. Nesër kemi një ditë të shënuar, për shkak se në fund të luftës kemi pasur numrin më të lartë të civilëve të të vdekurve. Iu bëjmë thirrje publike që më 14 qershor të 2024 i presim në Gjakovë dhe më mirë”, tha Gjini.

Sipas tij, 13 marrëveshjet që ishin parashikuar të firmoseshin sot mund të nënshkruhen në çdo mbledhje të kryeministrave, por se mbledhja do të jepte një mesazh ndryshe.

“Nuk na krijuar ndjenjë të mirë anulimi. Mesazhi që do të kishte sjellë, nuk do të kishte qenë i njëjtë, për shembull me një mbledhje të zhvilluar dy muaj më parë. Jam i bindur se do të ketë mbledhje të tjera.
Kryeministri Kurti duhet të ulet dhe të qetësohet. Ku kemi arritur deri tani nuk kemi arritur vetëm. Kosova ka nevojë për aleanca. Nëse i humbim aleancat, i humbim të gjitha”, tha kryetari i komunës së Gjakovës.

Sa i përket komunikimit me zyrën e kryeministrit Albin Kurti pas anulimit të mbledhjes, Gjini tha se ka marrë informacionet, por se nuk është fundi i botës.
“Shefja e kabinetit ka qenë në koordinim të plotë me kabinetin e km Kurti. Unë nuk kam pasur komunikim direkt, por i kam marrë informacionet patjetër.
Askush nuk ndihet mirë, jo vetëm në Gjakovë, mirëpo nuk është fundi i botës. Jemi në rrethana të zorshme. Do të ketë mbledhje të qeverive në të ardhmen. Ne duhet të mendojmë se cilat duhet të jenë hapat që do të marrim ne si shtet i Kosovës”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb