Pasi lajmëroi dorëheqjen nga detyra e presidentit, Hashim Thaçi pohoi se ky nuk ishte një fjalim lamtumire, ndërsa premtoi se do të dilte faqebardhë sa i takon çështjes së hapur me Gjykatën e Hagës.

“Kjo situatë e re është mundësi e re për Kosovën dhe duhet ta shënojmë në avantazh për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës dhe kjo arrihet duke ruajtur unitetin me qytetarët dhe bashkësinë ndërkombëtarë.
Ju lus për maturi, qetësi dhe për unitet dhe bashkim, të qëndrojmë të bashkuar kjo është ajo që garanton suksesin tonë. Suksesi ynë është Kosova e lirë, shtet i të gjithë qytetarëve, pa dallim etnik, pra si vend e atdhe i të gjithë qytetarëve. Jemi shtet ku sundon ligji dhe drejtësia, Kosova është storie e suksesit qytetar dhe institucioneve të vendit dhe bashkëpunimit të ngushtë me BE-në.

Ruajtëm besimin në dialog të brendshëm, cilësor dhe për paqe në rajon. Ashtu të dashur qytetar siç kam premtuar, s’do të lejojë në asnjë rrethanë që para gjyqit të dalë presidenti prandaj për të mbrojtur integritetin e Presidencës së Kosovës dhe shtetit të Kosovës, unë sot jam dorëheqje nga pozita e Presidentit të Kosovës.

Ndihem shumë krenar për përgjegjësinë që kam mbajtur në këto tri dekada në udhëheqjen e institucioneve nga vota e qytetarëve të Kosovës. Në këto rrethana të reja ftoj forcat politike të dëshmojnë mature të qëndrojmë të bashkuar e të mos lejojmë të thellohemi në krize kushtetuese apo institucionale, të vëmë interes të shtetit mbi ato personale. Vendi ynë s’ka kohë të humb prandaj iu ftoj të ruajmë orientimin atlantik të shtetit dhe shoqërisë. Iu ftoj të besoni në shtetin e Kosovës dhe Kosovën e re e evropiane, në atë të rendit dhe ligjit, në Kosovën në NATO dhe raporte special e të përhershme me SHBA-në.
Shpreh mirënjohje dhe falënderim me shtetet evropiane që kemi ecur krahë përkrahë, falënderim për SHBA-në dhe aleatët tanë në tërë botën. Asnjë sfidë nuk do të mund të cenojë partneritetin e Kosovës me aleatët tanë, në rrugën tonë drejt vlerave atlantike. Të dashur qytetarë iu falënderojë për solidaritetin dhe mbështetjen në këtë periudhë kohore, por ju ftoj që ta ruani qetësinë dhe të shmangni çdo lloj manifestimi publik, mbështetës apo protestues. Drejtësia nuk bëhet në rrugë, por me ballafaqim të argumenteve. Iu falënderoj për besimin sepse kjo nuk është lamtumirë, por vetë mirupafshim. Do të shihemi prapë e do të dalim faqebardhë, ky është premtimi im për ju. Zoti e bekoftë Kosovën.”, tha Thaci.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: