Zëvendëskryeministri ukrainas për Integrimin Evropian dhe Euro-Atlantik, Vsevolod Chentsov, ka deklaruar se disbursimi i parakohshëm i një pjese të kredisë prej 90 miliardë eurosh nga Bashkimi Evropian nuk përbën një “zgjidhje magjike” për mbulimin e vrimës buxhetore të Kievit. Sipas tij, Ukraina po zhvillon bisedime me BE-në dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë për të mbuluar nevojat urgjente të mbrojtjes gjatë këtij viti, si dhe për të ndërtuar strategjinë financiare deri në vitin 2027.
Qëndrimi i Chentsov vjen pas alarmit të ngritur nga presidenti Volodymyr Zelensky për një hendek financimi prej 23 miliardë eurosh. Kievi i ka kërkuar Brukselit lëvrimin e përshpejtuar të kredisë 90-miliardëshe, e cila fillimisht ishte parashikuar të disbursohej në këste të barabarta përgjatë viteve 2026 dhe 2027. Deri më tani, BE-ja ka alokuar 8.5 miliardë euro, ndërsa Kievi ka depozituar një kërkesë të re për të financuar fuqizimin e mbrojtjes ajrore dhe sistemeve “Patriot” përballë sulmeve intensive ruse.
Pasi rreth një e treta e nevojave financiare të Ukrainës parashikohet të mbulohet nga aleatët jashtë bllokut, në diskutime janë përfshirë edhe shtete si Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Kanada, Zvicra dhe Islanda.
Për të mbuluar deficitin, Kievi ka rikthyer në vëmendje përdorimin e 210 miliardë eurove të aseteve ruse të ngrira. Propozimi mbështetet nga vendet anëtare si Suedia, Polonia, Holanda dhe Spanja, të cilat kërkojnë zgjidhje të shpejtë përpara proceseve zgjedhore të vitit të ardhshëm.
Megjithatë, nisma po ndeshet me rezistencën e fortë të Belgjikës. Ministri i Jashtëm belg, Maxime Prévot, ripërsëriti kundërshtimin e Brukselit zyrtar për shkak të rreziqeve të larta gjyqësore, duke qenë se pjesa më e madhe e këtyre fondit rus gjendet e bllokuar në institucionin financiar belg “Euroclear”.
