Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, i ftuar në emisionin “Studio24”, ka reaguar ndaj deklaratave të bëra më herët nga përfaqësuesi i PS lidhur me shoqërimine një të mituri gjatë protestës së fundit të opozitës.
Xhaferri rrëfeu se pas shoqërimit nga policia ka takuar personalisht të miturin, i cili, sipas tij, ka shprehur frikë për të folur. “Më tha nuk flas, kam frikë se më dhunojnë”, deklaroi deputeti i PD-së.
Sipas Xhaferrit, i mituri ka pretenduar se është goditur me shpulla brenda mjetit të policisë. Ai shtoi se pas shoqërimit, i mituri është dërguar nga përfaqësues të opozitës deri në banesën e tij, ndërsa më pas prindërit janë paraqitur në komisariat për të ndjekur procedurat.
Deputeti i PD-së theksoi gjithashtu se i mituri nuk ishte pjesë e dhunës në protestë, por sipas tij, ishte duke mbledhur materiale plastike për të siguruar jetesën, në momentin kur është shoqëruar nga policia.
