Nuk ka fitues në derbin e Italisë, me Juven e Inter që ndajnë nga një pikë pas barazimit 1-1. Në shifra, kjo ishte një sfidë mes të barabartësh, mbase zikaltërit kisha diçka më shumë, teksa mbajtën 65% topin dhe goditën 4 herë kuadratin. Më në fund, zhbllokohet edhe Dusan Vlahovic, me sulmuesin serb që e bëri këtë pikërisht atëherë kur duhej.

Në minutën e 27-të, Vlahovic gatoi golin e avantazhit, rikuperojë një top në mesfushë, më pas u shërbye nga Chiesa dhe me një goditje të bukur mposhti portierin Sommer. Zikaltërit iu përgjigjën në të njëjtën formë në minutën e 33-të. Thuram futi një top të bukur në qendër, aty ku Lautaro Martinez dogji mbulimin e Rabiot duke barazuar shifrat.

Në pjesën e dytë, historia e këtij takimi ndryshoi ndjeshëm pasi dy ekipet bën pak në fazën ofensive, më shumë u kujdesën të mos lejonin hapësira. Edhe zëvendësimet e shumta ulën disi ritmin, ndërsa Inzaghi hodhi në fushë në minutën e 83 edhe Kristjan Asllanin, por rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund. Me 32 pikë pas javës së 13, Inter qëndron në krye, plus dy pikë në raport me Juven dhe plus 6 me Milanin e vendit të tretë. Max Allegri ishte i sinqertë pas sfidës ku theksoi se përballë Interit ishte më e rëndësishme të mos humbisnin:

“Skuadra bëri një paraqitje të mirë, nuk ishte e thjeshtë. Kishte tre vite që Juve nuk luante për vendin e parë të klasifikimit. Të qëndrosh dy pikë pas Interit është një rrugëtim i rëndësishëm. Kundër Inter ishte më e rëndësishme të mos humbisnim, do na bënte keq”, u shpreh Allegri.

Ashtu si trajneri i Juves, edhe Inzaghi del i kënaqur nga kjo ky përfundim, fundja një pikë në Torino nuk është për t’u hedhur poshtë: Ata, Juve, ashtu si Milan dhe Napoli, janë të ndërtuar për të qëndruar në krye të klasifikimit, ashtu siç e demonstrojnë edhe numrat”, theksoi Inzaghi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb