Zbulohen dy raste të mosdeklarimit të të hollave në Kakavijë. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se janë sekuestruar 25 950 euro, ndërsa janë proceduar penalisht 2 shtetasit që i posedonin dhe nuk i deklaruan në kufi.
NJOFTIMI I POLICISE
PKK Kakavijë/Kontrolle të detajuara nga shërbimet e Policisë Kufitare, goditen 2 raste të mosdeklarimit të të hollave. Sekuestrohen 25 950 euro, procedohen penalisht 2 shtetasit që i posedonin dhe nuk i deklaruan në kufi.
Si rezultat i angazhimit maksimal të shërbimeve të Policisë Kufitare të PKK Kakavije, për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, krahas punës për ofrimin e një shërbimi cilësor dhe etik, qytetarëve në hyrje/dalje, janë goditur 2 raste të mosdeklarimit të të hollave. Konkretisht, në dalje të RSh-së, u kaluan për kontroll në vijë të dytë, shtetasit:
-F. V., të cilit gjatë kontrollit fizik, iu gjetën 10 950 euro që ai nuk i kishte deklaruar;
-M. J., të cilës iu gjetën në çantë, 15 000 euro që ajo nuk i kishte deklaruar.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Gjirokastër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, për shtetasit F. V., 60 vjeç, banues në Berat dhe M. J., 54 vjeçe, banuese në Tiranë.
Gjithashtu, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, shumat e parave. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
