Kreu i SPAK, Altin Dumani, deklaroi sot gjatë takimit me dyer të mbyllura me gazetarët u pyet nëse vendimet e Gjykatës Kushtetuese ndikojnë hetimet e Prokurorisë së Posaçme.
Ai theksoi se vendimet e GJK respektohen dhe zbatohen plotësisht nga institucioni që ai drejton.
“Ne nuk i diskutojmë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ne i zbatojmë dhe i respektojmë ato. Do mirëpresim arsyetimin e plotë të GJK,” u shpreh Dumani.
Në lidhje me çështjen e Thoma Gëllçit, Dumani përmendi mungesë koordinimi institucional, duke theksuar se gjatë shqyrtimit të kësaj çështjeje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Avokatura e Shtetit nuk ka kërkuar asnjë informacion nga SPAK. “Kjo ka pamundësuar paraqitjen e argumenteve tona,” tha ai.
Sipas Dumanit, në vendimin e Strasburgut ka disa pasaktësi, përfshirë pretendimin se Gëllçi ishte dorëzuar, kur në fakt ai ishte arrestuar pas vendimit të dhënë në mungesë. Po ashtu, ai përmendi pasaktësi në lidhje me afatin e mbylljes së hetimeve.
“Megjithatë, thelbi i vendimit nuk është cenuar,” shtoi Dumani, duke nënvizuar nevojën për një koordinim më të mirë mes institucioneve për çështje të kësaj natyre.
