Lautaro Martinezit i duhet të bëjë përsëri pa binjakun e sulmit, Romelu Lukaku, pas dëmtimit të dytë të këtij të fundit që kur është bërë pjesë e Interit.
Në këtë mënyrë, pesha e sulmit zikaltër në fundjavë do t’i ngelet argjentinasit, që ka tri ndeshje pa e gjetur rrugën e rrjetës mes Champions-it dhe Serisë A, por do të rikthehet në kompeticionin e tij të preferuar, në kampionat. Të dielën në mbrëmje, 25-vjeçari do të zbresë në “Allianz Stadium” për të 200-ën ndeshje të tij me fanellën e Interit, në një stadium që deri më tani nuk ka qenë i mbarë për të.
Asnjëherë “Demi” nuk ka arritur t’i mposhtë portierët bardhezinj në Torino në pesë precedentët e mëparshëm, që rrjedhimisht e bënë vendin më pak ideal për të fikur qirinjtë e tortës së 200 paraqitjeve, por Lautaro do ta shfrytëzojë këtë si një tjetër arsye për t’u motivuar.
Në fakt ai dhe Interi nuk kanë nevojë për motivime ekstra në një sfidë të tillë, pasi përveçse kanë përballë Juventusin, në lojë është edhe fitorja e pestë radhazi për ta në kampionat. Po gjatë kësaj jave, kryesuesit e Napolit do të ndeshin Atalantën në Bergamo dhe tri pikë të skuadrës së Inzagit ndaj Juves mund të rezultojnë vendimtare si për klasifikimin edhe për moralin.
LUHATJET E LAUTAROS – Sezoni i deritanishëm i Lautaros ka pasur luhatjet e veta. Pas 3 golave në 4 javët e para të kampionatit, sulmuesi ka qenë në thatësirë që prej 30 gushtit deri më 12 tetor, kur e gjeti golin ndaj Barcelonës në “Camp Nou”, ku ishte protagonist absolut.
U duk në fakt fundi i periudhës së errët për numrin 10 zikaltër, pasi shënoi në dy ndeshjet pasuese ndaj Salernitanës dhe një dopietë ndaj Fiorentinës, por pas sfidës në “Artemio Franki” Lautaro nuk i ndëshkoi dot Viktoria Plzenin, Sampdorian e Bajern Mynihun.
Synimi për të mbërritur rekordin e një viti më parë (21 gola) është ende aty, por duhet përshpejtuar ritmi. 3 herë i ka shënuar Lautaro “Zonjës së Vjetër” gjithmonë në “San Siro”, e fundit në finalen e Superkupës më 12 janar. Këtë herë Lautaro është gati të jetojë të njëjtën mbrëmje në “Allianz”, ku përveç tabusë mund të gjejë përballë Di Marian, atë që vetëm një javë më pas do të jetë shoku i tij i repartit në Katar./ Panoramasport
