TIRANË
Bashkia e Tiranës ka marrë vendim për të shembur shkollën ‘Sami Frashëri” e për të ndërtuar një të re. Lajmi u bë i ditur nga kryebashkiaku Erion Veliaj, gjatë aktivitetit te Liceu Artistik me rastin e 7 Marsit, ku nderoi me certifikatë mirënjohjeje 25 mësues dhe mësuese, të cilët i kanë kushtuar jetën e tyre arsimimit dhe edukimit të fëmijëve dhe të rinjve.
“Kam nostalgji për shkollën ku kam qenë unë për Sami Frashërin, por vendimi që kemi marrë, bazuar në inxhinierë, në dy palë inxhinierë është që do të bëjmë një shkollë të re. Vërtet shkolla ka pas investime, ne kemi bërë investime, kemi bërë rikonstruksione, rrjetin elektrik, sistemin e ngrohjes, por nuk kemi ndërruar kollonat dhe themelet. Kollonat dhe themelet, janë ato të viteve ’60, kështu që për sa kohë nuk mbajnë kollonat dhe themelet ne nuk mund të bëjmë makeup, duke i vënë pudër dhe buzëkuq një shkolle e cila tërmetin e radhës nuk e mban dot. Kjo është arsyeja pse kemi vendosur ta bëjmë të re nga e para, shkollën Sami Frashëri sic bëmë shkollën Kosova e shumë shkolla të tjera në Tiranë.” u shpreh Veliaj.
“Dje morëm një konfirmim nga Ministria e Financave për lotin e dytë të 17 shkollave. Ka filluar loti i parë me shkollat “Kristo Frashëri”, “Vaçe Zela” në “Don Bosko”; sapo filluam shkollën e re aty ku është nënkalimi i Shqiponjës, ndërkohë loti i dytë përfshin kryesisht shkollat në zonën sipër Liceut, zona e Saukut, e Qytetit Studenti, e Freskut. Po përgatitemi për një Tiranë, e cila vërtet ka këtë ritëm rritje, por më në fund ka edhe ritëm investimesh për të përballuar rritjen e jashtëzakonshme”, deklaroi ai, teksa sqaroi se pjesë e rindërtimit do të jenë edhe shkollat e vjetra, si “Sami Frashëri”, që nuk i rezistuan dot tërmetit.
Veliaj shprehu zotimin e tij për të çliruar territoret e institucioneve arsimore nga ndërtimet pa leje, e për t’ia kthyer ato nxënësve. “Mbaj mend kur u dogj shkolla “Kosova” për t’u bërë pallat. Prandaj, duhet të reflektojmë pak se çfarë nxënësish kemi rritur: Nxënës që sa morën pushtetin harruan dhe nuk ruajtën as integritetin e shkollave. Unë jam i vendosur që të vazhdoj pastrimin e territorit të shkollave. Kjo vjen me një faturë miqtë e mi. Duhen shpronësuar sepse janë legalizuar, kanë marrë hipotekat. Por, do të vazhdojmë deri në fund, sa të kem fuqi dhe takat, si i zgjedhur në këtë qytet, do çlirojmë çdo centimetër katror që i është marrë një shkolle”, tha Veliaj, teksa solli në vëmendje edhe djegien e shkollës në Shkodër për qëllime politike.
Krahas përmirësimit të infrastrukturës së shkollave, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me qeverinë, do të nisin edhe transformimin e Piramidës, në qendrën më të madhe të teknologjisë, ndërsa do të hapen edhe akademi kodimi, duke i përgatitur të rinjtë për të ardhmen. Në mënyrë simbolike për Ditën e Mësuesit, kryebashkiaku Veliaj dhe disa mësues të shkollave të Tiranës, mbollën pemë në Parkun e Liqenit Artificial.
(BalkanWeb)
