Edhe pse kanë disa dekada që prodhojnë bukë dhe ëmbëlsira, ata kurrë nuk ishin vlerësuar më parë për mjeshtërinë e tyre zyrtarisht.

Sot, 11 specialistë të prodhimit, përpunimit të bukës dhe pastiçerisë si dhe administratore te njohur nga mbarë vendi janë çertifikuar me titullin “Mjeshtër” nga Dhoma Kombëtare e Zejtarisë.

Njëri prej tyre është vlonjati Marenglen Rushiti, bukët e Vlorës janë të famshme pikërisht prej furrës qe mjeshtri bukëpjekës drejton prej 29 vitesh. Rushiti ndihet i vlerësuar për titullin e sapo marrë dhe thotë se jo gjithçka që bën është për përfitim vetjak por edhe për të ndihmuar të rinjtë të kenë një zanat që të siguron një jetë të mirë.

“Titulli “Mjeshtër” do te thotë shumë, unë trashëgoj një furrë buke që nga viti 1923. E nisa si biznes familjar me 5 persona sot jemi një familje e madhe me 62 persona, çdo pike gjaku dhe djerse që është hedhur, është hedhur jo vetëm për përfitim vetjak por edhe për të punësuar shumë të tjerë dhe duke nxjerre profesionistë. Unë e nisa me prodhimin e brumit me dore sot furrat komandohen me celulare. Për ne furrxhinjtë thonë se në darke flemë pa lekë, në mëngjes ngrysemi me lekë”.

Në konferencën e mbajtur në Dhomën Kombëtare të Zejtarisë ku u diskutua roli i mjeshtrit në ndërmarrje, të pranishëm ishin edhe përfaqësues dhe ekspertë nga dhoma e zejeve Koblez nga Gjermania.

Presidenti i dhomës Kombëtare të Zejtarisë, zoti Luan Bregasi, tha se ofrohen shërbime cilësore trajnime në profesionet moderne, të cilat i kërkon tregu i punës teksa shtoi se institucioni që drejton merr kërkesa të vazhdueshme nga sipërmarrësit për tu anëtarësuar dhe kërkesa për tituj ‘’mjeshtra’’ dhe ‘’ndihmës mjeshtra’’.

“Dhoma ka mbeshtetjen e qeverisë dhe të shoqatave. Dhoma Kombëtare e Zejtarisë ka nisur me zhvillimin e provimeve për titujt Mjeshtër në disa sektor profesione zejtare. Për këtë kemi realizuar bashkëpunim me shoqatat. Deri tani Dhoma ka certifikuar 50 “Mjeshtra” të cilët janë nga sektori i përpunimit dhe prodhimit të brumrave, sektori i parukeri estetikës, mekanikës, përpunimit të drurit, përpunimit të gurit, artizan, stiliste, përpunimin e qeramikës etj”.

Dhoma Kombëtare e Zejtarisë prej kohësh ka punuar për të sjellë një arsim, kualifikim dhe certifikim profesional sipas sistemit dual gjerman, një nga sistemet më të mira për arsimin profesional sot në Europë. Që në fillimet e saj Dhoma Kombëtare e Zejeve ka pasur një bashkëpunim të ngushtë dhe mjaft përfitues me Dhomën e Zejtarisë Koblenz.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb