Deputetja e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu, ka reaguar lidhur me zhvillimin e seancave gjyqësore ndaj presidentit të PL-së, Ilir Meta, duke e cilësuar të padrejtë vendimin që ai të qëndrojë në kafazin e xhamtë gjatë proceseve në Gjykatën e Posaçme.

Në një prononcim për mediat, Haxhiu theksoi se interesi publik për këtë çështje është i lartë dhe se duhet të respektohet e drejta e Metës për të informuar opinionin publik mbi hetimet dhe akuzat ndaj tij.

“Interesi publik për të ndjekur këto seanca gjyqësore është shumë i madh dhe duhet respektuar e drejta e presidentit Ilir Meta për të informuar opinionin publik rreth hetimeve dhe çështjes ndaj tij. Duhet treguar se në të vërtetë nuk ka asnjë fakt dhe asnjë akuzë ndaj tij”, deklaroi Haxhiu.

Sipas saj, ndërsa prokurorët mund të komunikojnë lirshëm me njëri-tjetrin gjatë procesit, Meta detyrohet të komunikojë me avokatin e tij përmes barrierës së xhamit ose jashtë sallës së gjyqit.

“Në perceptimin tim personal, nuk më duket se të dy palët janë në një raport të drejtë me njëra-tjetrën. Presidenti Ilir Metaj duhet të komunikojë me avokatin e tij përmes një vrime xhami ose të largohet nga seanca për të biseduar në një ambient tjetër. Në gjykimin tim, kjo krijon një raport të padrejtë, por ky mbetet një vendim i gjykatës”, u shpreh Haxhiu.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb