Rei Manaj kërkon largimin nga Al Sharjah në Emiratet e Bashkuara Arabe, por ndryshe nga sa është raportuar së fundmi, nuk ka firmosur për asnjë klub në Kinë. Përkundrazi, ai vazhdon të jetë në bisedime për kthimin e mundshëm në kampionatin turk të futbollit.
Mediat turke kanë bërë të ditur se presidenti i Sivaspor, Burak Ozçoban, ka qenë përsëri në ditën e fundit në kontakt me Manajn, duke i parashtruar kushtet financiare për kthimin në klubin e kategorisë së dytë turke, i cili është kandidat për t’u kthyer në elitë.
Sivaspor përballet me një bllokim të merkatos nga FIFA për shkak të detyrimeve financiare por në klub po punohet për të shlyer këto pagesa dhe për të përfshirë menjëherë Manajn në ekipin e tyre, nëse sulmuesi do të bjerë dakord. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se Manaj nuk ka kthyer përgjigje përfundimtare, pikërisht për shkak të problemeve që ka Sivaspor, por do ta bëjë një gjë të tillë shumë shpejt.
Manaj shënoi 30 gola në 60 ndeshje me fanellën e klubit turk në Superligë në dy sezone në radhët e kësaj skuadre dhe një tjetër eksperiencë në radhët e tij duket se tërheq futbollistin e Kombëtares shqiptare.
