Përplasjet mes Uanda Narës dhe Mauro Ikardit nuk kanë fund dhe duket se vetëm gjykatat do të zgjidhin këtë situatë, me përfshirjen e mundshme edhe të atyre sportive. Gjithçka ka të bëjë me detyrimet që ka Ikardi ndaj ish-bashkëshortes së tij, sa i përket pagesës për rritjen e dy vajzave që ka me prezantuesen argjentinase.

Një gjykatë në Argjentinë ka hedhur poshtë apelimin e sulmuesit, i cili kishte kërkuar rishikimin e shifrave që i detyrohej në muaj bashkëshortes për rritjen e vajzave të cilat aktualisht jetojnë me të. Sipas vendimit të shkallës së parë, të arritur në fundin e vitit 2024, Ikardi detyrohej të paguante 3% të të ardhurave të tij për rritjen e vajzave, për një shifër që sipas mediave argjentinase kalonte 147 mijë dollarët.

Në këtë situatë, Ikardi ka pretenduar se shuma është e lartë dhe nuk ka dashur të paguajë, ndaj e ka apeluar, por gjykata i ka dalë përsëri kundër. Përveç kësaj, përfaqësuesit e Uanda Narës pretendojnë se të ardhurat e deklaruara nga Ikardi, janë më të vogla se ato reale. Ndaj kërkojnë që ai të paraqesë dokumentet e plota në gjykatë brenda ditëve të ardhshme, kërkesë që është miratuar.

Gjykata ka bërë të ditur se nëse Ikardi nuk paraqet dokumentacionin brenda 5 ditëve të ardhshme, do t’i drejtohet FIFA-s me kërkesë për të sanksione kundër futbollistit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb