Gazetari Reldar Dedaj, i ftuar në emisionin “Studio24”, ka komentuar hetimet ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku, duke theksuar se procesi lidhet drejtpërdrejt me procedurat e tenderimit dhe verifikimin e dokumentacionit zyrtar.
Sipas Dedajt, në procedurat e tenderave dokumentet ndahen në disa kopje dhe arkivohen si në formë fizike, ashtu edhe elektronike, çka e bën të pamundur ndërhyrjen apo ndryshimin e provave. Ai u shpreh se procedura ka ndodhur, dokumentet u janë vënë në dispozicion palëve dhe tashmë janë objekt verifikimi nga organet e drejtësisë.
Gazetari theksoi se prokuroria mbështetet kryesisht në dokumente fizike dhe në ballafaqimin e tyre, ndërsa përgjimet shërbejnë si indicie. Sipas tij, nëse ka përputhshmëri mes dokumentacionit dhe provave të tjera, çështja konsiderohet e provuar dhe personat përgjegjës duhet të përballen me drejtësinë.
Dedaj nënvizoi se, sipas procedurave ligjore, asnjë ndikim politik apo ndërhyrje e jashtme nuk mund të ndryshojë faktet, pasi provat janë të dokumentuara dhe të verifikueshme.
“Balluku po gjykohet për tenderat. Ai që e di procedurën dihet që ndahen në 3 kopje, vendosen në arkiva fizike dhe elektronike. Procedimi ka ndodhur dhe u janë dhënë dokumentet palëve. Edhe Zoti të jetë nuk ndikon dot të provat, ndahen në 4 kopje, kush e di procedurën e tenderave. Prokuroria merret me dokumente fizike, të ballafaqon me dokumentin. Përgjimet janë indicie. Nëse ka përputhshmëri je zënë shah mat dhe përballu me drejtësinë”, u shpreh ai.
