Presidenti i SHBA-së, Donald Trump , mbërriti këtë pasdite në Teksas , shteti i zhytur në zi pas përmbytjeve që vranë të paktën 135 persona , në një kohë kur autoritetet lokale dhe federale po kritikohen ashpër për mënyrën se si iu përgjigjën katastrofës.
Presidenti i SHBA-së dhe bashkëshortja e tij Melania po bëjnë një vizitë disa-orëshe, saktësisht një javë pas përmbytjeve dhe ndërsa më shumë se 170 persona mbeten të zhdukur.

“Nuk kam parë kurrë diçka të tillë më parë. Është e vështirë të besohet shkatërrimi”, u tha Trump zyrtarëve lokalë gjatë takimit të tij me ta. “Pemë 100-vjeçare të shkulura nga rrënjët. Nuk kam parë kurrë diçka të tillë më parë. Kam parë shumë gjëra të këqija. Kam kaluar nëpër shumë uragane, shumë tornado.
Nuk kam parë kurrë diçka të tillë më parë”, tha presidenti i SHBA-së. Ai tha se ” shumë fëmijë janë të zhdukur ” dhe se ekipet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë kërkimet e tyre.
Nga ana e saj, Melania Trump shprehu ngushëllimet e saj për familjet e viktimave: “Ngushëllimet e mia më të thella për të gjithë prindërit që humbën fëmijët e tyre të vegjël”, theksoi ajo. “Ne vajtojmë me ju. I gjithë vendi ynë vajton me ju”.
“Do të kthehem, ua premtova atyre”, tha ajo.
Më 4 korrik, Ditën e Pavarësisë, Teksasi qendror u godit nga shira të rrëmbyeshëm që shkaktuan përmbytje të menjëhershme, duke habitur shumë banorë në gjumë. Deri më tani, 120 persona janë konfirmuar të vdekur, me Qarkun Kerr më të prekurin, me 96 vdekje – 36 prej të cilëve ishin fëmijë.
