Tirana ka humbur dy titullarë të rëndësishëm për ndeshjen me Vllazninë. “Klasikja” e futbollit shqiptar i gjen bardheblutë pa Basilio Ndong dhe Serzh Tabeku, ndryshe dyshja që solli golin ndaj Teutës në Durrës.
Ndong është i fokusuar tashmë te Guinea Ekuatoriale për Kupën e Kombeve të Afrikës. Tabeku ndërkohë u ndëshkua ndaj Teutës dhe plotësoi numrin e kartonëve të verdhë, për këtë do qëndrojë i pezulluar.
Sfida me Vllazninë është programuar të shtunën, pikërisht më 20 dhjetor prej orës 13:30. Ky takim do të luhet në stadiumin “Selman Stërmasi”.
Te Tirana janë mbi 10 lojtarë jashtë planeve. Pikërisht ndaj Teutës ra në sy që stoli ishte i mbushur me lojtarë nën 20 vjeç.

