Zhvendosja e Kadastrës së Vlorës në Tiranë, ka shkaktuar reagime të shumta ditët e fundit, me punonjësit që nuk janë pro këtij vendimi dhe me nëndrejtorin i cili u shkarkua nga detyra pasi u doli në krah vartësve.
Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Kadastrës ka bërë një njoftim për punonjësit, të cilëve u ka sugjeruar të dërgojnë kërkesat nëse duan të transferohen me punë në Drejtorinë e Kadastrës Fier.
Megjithatë, punonjësit e Kadastrës Fier deklarojnë se në të vërtetë në Kadastrën Fier nuk ka vende, të cilat mjaftojnë me zor edhe për punonjësit që janë aktualisht aty.
Ndërkohë edhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka reaguar në lidhje me zhvendosjen e Kadastrës së Vlorës drejt Tiranës.
Në reagim theksohet fakti se prej kohësh, proceset kadastrale për disa drejtori vendore janë të lokalizuara në Tiranë, si pjesë e një modeli organizimi që synon optimizimin e burimeve njerëzore dhe proceseve administrative.
“Të gjitha aplikimet kryhen online përmes portalit e-Albania dhe shërbimet përkatëse ofrohen gjithashtu në mënyrë elektronike, drejtpërdrejt në profilin e qytetarit aplikues.
Gjithashtu, dokumentacioni i nevojshëm për trajtimin e aplikimit, përveç ngarkimit në sistemin elektronik, dërgohet përmes Postës Shqiptare pranë drejtorisë vendore, pavarësisht vendndodhjes së saj, për t’u administruar dhe bashkëlidhur me aplikimin e kryer në mënyrë të rregullt dhe të standardizuar.
Procesi i transferimit të drejtorive vendore në Tiranë ka nisur që në vitin 2021 me transferimin e Durrësit e Krujës, për të vijuar më tej edhe me drejtori të tjera si Shkodër, Kavajë, Kamëz -Vorë, dhe Vlorë”, thuhet në reagim.
