Blerton Isufi është kthyer në çështje për një situatë të pazakontë.

alban bushi

Kombëtarja U-21 zyrtarizoi ftesën për talentin e Moldes, ndërsa ky i fundit reagoi në Kosovë duke u shprehur se do luajë vetëm me “dardanët”. Nga ana e 20-vjeçarit rezulton një lojë me dy porta gjatë kësaj kohe.

Trajneri Alban Bushi ka vendosur të publikojë mesazhin ku Isufi pranon ftesën, por tregon se Molde po e pengon.

Ndërkohë nga një zyrtar i FSHF është publikuar edhe e-mail ku komunikohet me klubin norvegjez. Aty ku rezulton që Isufit i është dhënë drita jeshile nga klubi i tij.

DEKLARATA E ISUFIT PAS FTESËS

“Po, është e vërtetë që më kanë kontaktuar disa herë, por unë nuk i kam dhënë përgjigje pozitive. E kanë kontaktuar edhe babanë tim. Unë jam futbollist i Kosovës dhe do të vazhdoj të luaj vetëm për vendlindjen time. Nuk do të luaj kurrë për asnjë Kombëtare tjetër përveç Kosovës.

Trajneri Bushi më ka kontaktuar direkt duke më thënë se i pëlqej si lojtar, gjithsesi faleminderit, por do të mbetem i Kosovës. Kam biseduar me trajnerin Hekuran Kryeziu. Ai e di situatën time në klub dhe gjithë atë që ka ndodhur me Shqipërinë. Ai ka besim te unë dhe unë kam besim tek ai. Në këtë grumbullim nuk do të jem shkaku i angazhimeve me klubin pasi kampionati norvegjez nuk pushon, por gjithmonë do të jem pjesë e Kosovës”.

MESAZHET E PUBLIKUARA QË I PËRKASIN BLERTON ISUFIT

“I nderuar Prof. Alban.

Më vjen shumë keq që klubi im, Molde FK, nuk po më lejon të marr pjesë në këtë grumbullim. Unë kam qenë shumë i gatshëm dhe me shumë dëshirë për të ardhur dhe për të përfaqësuar shtetin tim, Shqipërinë. Këtë dëshirë ia kam shprehur edhe Petritit.

Për fat të keq, klubi nuk po ma jep lejen, pasi kemi dy ndeshje shumë të rëndësishme në këtë periudhë. Jam shumë i zhgënjyer nga ky vendim i klubit, sepse kam pasur shumë dëshirë të jem pjesë e ekipit dhe të kontribuoj për kombëtaren. Edhe unë, edhe agjenti im kemi folur me klubin, por ata insistojnë që të qëndroj këtu, duke thënë se kemi ndeshje të rëndësishme dhe se grumbullimi i kombëtares konsiderohet vetëm miqësor.

Megjithatë, unë jam gjithmonë në dispozicionin tuaj dhe mezi pres herën tjetër për të ardhur dhe për të qenë pjesë e ekipit. Me respekt, Bleron Isufi”.

E-MAIL I KLUBIT PËR FSHF

“I nderuar z. Lilo,

Shpresoj që jeni mirë. Jemi të lumtur që Blerton Isufi është përzgjedhur për ekipin tuaj U21, megjithatë ne kemi një ndeshje të rëndësishme më 30 maj dhe Blertoni ka shumë gjasa të jetë pjesë e skuadrës për këtë ndeshje. Do të jemi të lumtur ta lirojmë për udhëtim të dielën, më 31 maj. Shpresojmë që kjo të jetë në rregull për ju. Përshëndetjet më të mira”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb