Gazetari dhe analisti Agim Baçi ka reaguar pas ngjarjes së rëndë që preku News24 dhe pasojave që ajo solli për materialet e emisionit investigativ “Vetting”.

Baçi tha se në godinën e televizonit ka pasur fakte dhe dokumente që përfshijnë njerëz me pushtet dhe lidhje të forta, ndaj ngriti shqetësimin se marrja e tyre rrezikon jo vetëm gazetarinë, por edhe të vërtetën që u përket qytetarëve.

“Shpresoj që materialet të jenë ruajtur edhe në vende të tjera, por fakti që ato janë marrë kërcënon seriozisht punën e gazetarëve. Mosrespektimi i vendimit të gjykatës për të lejuar gazetarët në godinë është një cinizëm i madh dhe ngre pikëpyetje edhe për veprimet e mëparshme të institucioneve. Nuk mund të zëvendësosh fjalën me armën”, u shpreh ai.

Sipas analistit, rreziku për shoqërinë nuk vjen nga media, por nga shteti kur e tepron dhe ushtron presion. “Shteti duhet të jetë i kujdesshëm me mediat sepse ato u përkasin qytetarëve. Lajmi nuk është vetëm i gazetarëve që e transmetojnë, por i gjithë shoqërisë”, theksoi Baçi.

Ai kujtoi edhe raportin e fundit nga Brukseli, ku i kërkohej qeverisë shqiptare që marrëdhënia me BE të mos mbetet vetëm në retorikë, por të reflektohet në respektimin e fjalës së lirë dhe të medias. “Shqipëria në BE në vitin 2030 mund të mbetet vetëm retorikë nëse liria e medias nuk respektohet. Për ta, momenti më i rëndë ka qenë shpërfillja e vendimit të gjykatës, sepse ky veprim hedh poshtë çdo alibi tjetër”, nënvizoi ai.

Baçi theksoi se reagimet e ndërkombëtarëve janë të rëndësishme, por mbrojtja e vërtetë e fjalës së lirë duhet të vijë nga vetë gazetarët dhe mediat në vend. “Mungesa e një media që thotë të vërtetat sjell pasoja të rënda për shoqërinë. Ky është një test serioz për demokracinë tonë”, tha analisti.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb