Ashtu siç është paralajmëruar, mbahet sot protesta e 59 ku qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës. Si për çdo pasdite, qytetarët janë mbledhur në Sheshin Skënderbej, dhe më pas do të marshojnë drejt Kryeministrisë.
Protesta e djeshm u karakterizua nga një sërë tubimesh dhe marshimesh në pika të ndryshme të Tiranës. Qytetarët nisën protestën që në orët e mëngjesit para Kuvendit, ku kundërshtuan zhvillimin e seancës plenare. Zona përreth Parlamentit u rrethua nga forca të shumta policie, ndërsa gjatë përpjekjeve të protestuesve për t’iu afruar godinës pati tensione me efektivët. Gjatë protestës disa persona u shoqëruan nga Policia.
Pas incidenteve para Kuvendit, protestuesit marshuan drejt Komisariatit nr. 1, ku kërkuan lirimin e personave të shoqëruar dhe kundërshtuan ndërhyrjen e forcave të rendit gjatë tubimit. Në orët e pasdites dhe të mbrëmjes, protesta u zhvendos përpara godinës së Kryeministrisë, ku qytetarët mbajtën fjalime dhe shprehën kundërshtimin ndaj qeverisë. Gjatë tubimit u hodhën kritika edhe ndaj platformës “Besa”, të prezantuar së fundmi nga kryeministri Edi Rama, të cilën protestuesit e cilësuan si të pamjaftueshme për t’iu përgjigjur kërkesave të tyre.
Pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit zhvilluan marshimin e përnatshëm në rrugët e kryeqytetit, duke përsëritur thirrjet “Rama ik!”, “Dorëheqje!”, “Shqipëri e re” dhe “Revolucion”. Marshimi u zhvillua pa incidente. Organizatorët deklaruan se protesta tashmë ka një objektiv të vetëm, largimin e kryeministrit Edi Rama dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira, ndërsa theksuan se mobilizimi do të vazhdojë çdo ditë deri në realizimin e këtij qëllimi.
