Mijëra qytetarë dolën në rrugë të premten në Bukuresht dhe në disa qytete të tjera të Rumanisë për të protestuar kundër korrupsionit në sistemin gjyqësor, duke kërkuar reforma të thella dhe përgjegjësi nga institucionet shtetërore.
Valë protestash nisën të mërkurën, pas publikimit të një hetimi nga platforma investigative Recorder, i cili solli në dritë dëshmi tronditëse të gjyqtarëve dhe prokurorëve për presione të ushtruara nga zyrtarë të lartë. Hetimi ka tërhequr vëmendje të gjerë publike, duke kaluar 3.5 milionë shikime në YouTube. Gjatë protestës së së premtes, demonstruesit kërkuan dorëheqjen e ministrit të drejtësisë, presidentit të Gjykatës Supreme dhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë. Me pankarta dhe thirrje si “Drejtësi, jo korrupsion”, “Hajdutë” dhe “Ju shohim”, protestuesit shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj asaj që e cilësojnë si një sistem të kapur dhe të manipuluar nga brenda.
“Shoqëria civile nuk e pranon një sistem që është i korruptuar në thelb dhe i projektuar për t’u manipuluar nga brenda”, deklaroi për AFP Vlad Voinea, 40 vjeç, i cili mori pjesë në tubim së bashku me vajzën e tij. Ndërkohë, Michnea Mihai, 31 vjeç, që mbante një pankartë me mbishkrimin “Respekt për gjyqtarët e ndershëm”, tha se kishte dalë në marshim për të mbështetur gjyqtarët që denoncuan ndërhyrjet dhe për të inkurajuar të tjerë të ndiqnin shembullin e tyre.
Reagimi nuk ka munguar as nga brenda sistemit gjyqësor. Qindra gjyqtarë kanë nënshkruar një letër të hapur, ku denoncojnë “mosfunksionime sistemike” dhe shprehin solidaritet me kolegët që, sipas tyre, patën guximin të ekspozojnë presionet dhe problemet e brendshme.
Presidenti rumun Nicușor Dan bëri thirrje për dialog me gjyqtarët më 22 dhjetor, duke theksuar në një postim në Facebook se kur qindra gjyqtarë shprehin shqetësime serioze për “integritetin” e sistemit gjyqësor, “situata është shumë serioze”. Sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, Rumania renditet ndër vendet më të korruptuara të Bashkimit Evropian, një fakt që i ka dhënë edhe më shumë peshë protestave të ditëve të fundit.
