Përfaqësuesit e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kanë paraqitur qëndrimin e tyre zyrtar në seancën që po zhvillohet në Gjykatën Kushtetuese, ku Kryeministria ka kundërshtuar masën e ndalimit të kërkuar ndaj zv/kryeministres dhe ministres Belinda Balluku.
SPAK ka depozituar parashtrimet e saj me shkrim, duke theksuar se në këtë proces paraqitet në cilësinë e subjektit të interesuar dhe se kërkesa e Kryeministrisë nuk plotëson kushtet ligjore për shqyrtim kushtetues.
Sipas SPAK, pala kërkuese nuk legjitimohet si subjekt procedural për të aktivizuar kontrollin e Gjykatës Kushtetuese, pasi nuk është subjekt i drejtpërdrejtë dhe nuk ka provuar ekzistencën e një interesi personal dhe aktual, të shoqëruar me pasoja të pariparueshme apo rrezik konkret nga kryerja e tij.
“Pretendimet e kërkuesit bazohen në interpretime të ligjit, pa u provuar ekzistenca e një raporti juridik të cenuar me pasoja konkrete”, thuhet në qëndrimin e SPAK. Sipas prokurorisë, në këtë çështje nuk konstatohet konflikt kompetencash dhe mungon një çështje kushtetuese reale që të justifikojë ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese.
SPAK thekson se nuk mund të pretendohet konflikt kompetencash mes GJKKO-së dhe Kryeministrit. Sipas saj, vetë Gjykata Kushtetuese ka trajtuar më herët çështje të ngjashme, duke argumentuar se çdo institucion ushtron kompetencat e veta dhe se asnjë organ nuk ndërhyn në vendimmarrjen e tjetrit. Për ekzistencën e një konflikti kompetencash duhet të plotësohen tre kritere ligjore, të cilat, sipas SPAK, nuk përmbushen në rastin konkret.
Në parashtrimet e saj, SPAK vlerëson se kërkesa e Kryeministrit nuk paraqet konflikt kompetencash mes pushteteve, pasi masat e sigurimit nuk krijojnë një konflikt të tillë. Po ashtu, theksohet se kërkuesi nuk mund të përdorë këtë pretendim për të bllokuar hetimin penal ndaj një ministri, pasi ndjekja penale është kompetencë ekskluzive e SPAK dhe GJKKO-së dhe nuk mund të cenohet nga pushteti ekzekutiv.
SPAK nënvizon gjithashtu se sistemi ligjor parashikon rrugë të qarta ankimi, përfshirë Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën e Lartë, duke garantuar të drejtat procedurale të palëve.
Sa i përket pretendimit se pezullimi i zv/kryeministres ka bllokuar funksionimin normal të Këshillit të Ministrave, SPAK e cilëson atë të pabazuar, duke sqaruar se masa e sigurimit është vendosur ndaj individit dhe nuk cenon funksionimin institucional të qeverisë.
