Presidenti francez, Emmanuel Macron ka këmbëngulur se nuk do të tërhiqet për rritjen e moshës së pensionit në Francë, ndërkohë që në vend po mbahen protesta dhe greva.

Presidenti për më tepër përjashtoi shpërndarjen e parlamentit, riorganizimin e qeverisë së tij qendrore dhe dorëheqjen e kryeministres së tij, Élisabeth Borne, siç ka kërkuar opozita.

Ai tha se kishte besim të plotë te Borne, teksa shtoi se ‘ndiej keqardhje personale që nuk kam arritur t’i bind njerëzit për domosdoshmërinë e kësaj reforme”.

Ky dështim dhe kundërshtimi i gjerë ndaj rritjes së moshës zyrtare të daljes në pension nga 62 në 64, si dhe përdorimi i një klauzole kushtetuese nga ana e qeverisë për të shtyrë masën pa votim, është shfaqur në rrugë gjatë ditëve të fundit ndërsa protestuesit u përleshën me policinë.

Administrata e Macron-it i mbijetoi ngushtë një votë mosbesimi të hënën me vetëm nëntë vota, por zemërimi i ashpër publik i është drejtuar vetë presidentit.

“A është kënaqësi per mua qw tw miratoja këtë reformë? Kjo reformë nuk është luks apo kënaqësi, është e nevojshme për vendin”, tha ai në një intervistë televizive.

Pas daljes së tij televizive, përfaqësuesit e sindikatave franceze dhe opozita akuzuan presidentin për injorim të disponimit publik.

Legjislacioni do të hyjë në fuqi në 1 shtator në pritje të miratimit nga gjykata kushtetuese e vendit që po shqyrton aktualisht projektligjin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb