Trajneri italian Çezare Bexhi nuk do të jetë më në stolin e Teutës, pasi ka dhënë dorëheqjen nga detyra që mbante. 46 vjeçari ka bërë gati valixhet për t’u larguar nga Shqipëria, jo për t’u kthyer në Itali, por për të udhëtuar drejt Anglisë ku e pret firma me klubin e Lids Junajtid.

Edhe pse në këto javë të para ai nuk arriti të tregonte thuajse asgjë te Teuta, një skuadër e cila nuk ka gjetur ende rrugën e golit pas katër javësh kampionat dhe mban vendin e fundit në klasifikim, në adresë të Bexhit ka mbërritur një ofertë e rëndësishme nga klubi i Lids Junajtid i cili aktualisht gjendet në Championship (kategoria e dytë angleze).

Atje ai do të ketë rolin e asistentit të Garri Monk në pankinën e këtij klubi i cili është në pronësi të ish-presidentit të Kaljarit, Masimo Çelino dhe ka një staf të zgjeruar italian. Sipas marrëveshjes së nënshkruar mes Bexhit dhe Teutës, kontrata mes palëve mund të ndërpritej me mirëkuptim nëse i vinte një ofertë e tillë nga jashtë Shqipërisë.

Një situatë e tillë ka futur në telashe të thella Teutën, e cila ka shfaqur probleme në këtë fillim sezoni duke treguar shumë pak nga loja e vitit të kaluar, ku siguroi edhe pjesëmarrjen në Ligën e Europës. Drejtuesit e klubit po kontaktojnë me trajnerë të ndryshëm për të caktuar sa më shpejt një emër të ri në stolin e skuadrës./panoramasport/

(el.sp/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: