Të paktën 3,770 persona humbën jetën nga tërmeti me magnitudë 7.7 ballë që goditi vendin më 28 mars, me 5,106 të plagosur dhe 106 të zhdukur ende.

Agjencitë e ndihmës kanë paralajmëruar se qindra mijëra njerëz në Mianmar kanë nevojë të madhe për ndihmë humanitare pas tërmetit vdekjeprurës.

OKB-ja dhe organizata të tjera humanitare thonë se kushtet e jetesës në të gjithë vendin mbeten të tmerrshme për të mbijetuarit e tërmetit me magnitudë 7.7 që goditi më 28 mars.

Edhe para tërmetit, lufta civile e vazhdueshme e vendit, e cila filloi pasi ushtria përmbysi qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike në vitin 2021, kishte zhvendosur më shumë se tre milionë njerëz dhe kishte lënë gati 20 milionë të varur nga ndihma humanitare.

“Nevojat kritike mbeten për strehim të sigurt, ujë të pastër dhe kanalizime, kujdes shëndetësor fizik dhe mendor, shërbime gjithëpërfshirëse mbrojtjeje dhe ndihmë në para”, tha Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) në raportin e saj të fundit për situatën.

Shumë nga ata që humbën shtëpitë e tyre ende jetojnë në strehimore të improvizuara me pak mbrojtje nga stuhitë para musoneve përpara sezonit të shirave që zgjat disa muaj, i cili normalisht fillon në maj.

OKB-ja paralajmëroi gjithashtu për akses të kufizuar në ujë të pijshëm të sigurt dhe kanalizime të pastra, duke rritur kërcënimin e përhapjes së sëmundjeve që transmetohen nga uji.

Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe tha në raportin e saj se personat e zhvendosur jetonin jashtë në temperatura deri në 40 gradë Celsius, me një frikë të madhe për lëkundje të mëtejshme.

Departamenti i Meteorologjisë dhe Hidrologjisë i Mianmarit tha se regjistroi 157 lëkundje pasuese pas tërmetit kryesor, me magnitudë nga 2.8 në 7.5.

 

(A.A/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: