Të paktën 17 persona kanë humbur jetën pasi një zjarr përfshiu një ndërtesë në qytetin indian të Hyderabadit, thanë zyrtarët lokalë.
Zjarri i madh shpërtheu në orët e para të ditës në një ndërtesë trekatëshe ku ndodhej një dyqan bizhuterish.
Një deklaratë nga departamenti i emergjencës për reagim ndaj katastrofave nga zjarri dhe mbrojtjes civile në shtetin jugor të Telanganës, ku ndodhet Hyderabad, tha se ata kishin marrë thirrjen për ndihmë menjëherë pas orës 6 të mëngjesit sipas orës lokale (GMT+5:30).
Zjarri shpërtheu në katin përdhes dhe u përhap në katet e sipërme. Operacionet e zjarrfikjes, kërkim-shpëtimit u kryen njëkohësisht.
Në deklaratë u renditën edhe emrat e 17 individëve që humbën jetën.
“Shkaku i dyshuar i zjarrit është duke u hetuar”, thuhet në deklaratë.
Kryeministri indian Narendra Modi shprehu “pikëllimin e tij të thellë” për humbjen e jetëve dhe njoftoi kompensim prej 200,000 rupish (rreth 2,300 dollarë) për të afërmit e viktimave.
“Jam thellësisht i pikëlluar nga humbja e jetëve për shkak të një tragjedie nga zjarri në Hyderabad, Telangana”, tha Modi në një deklaratë të lëshuar nga zyra e tij.
“Ngushëllime atyre që kanë humbur të dashurit e tyre. Shërim sa më shpejt për të lënduarit.”
(A.A/BalkanWeb)
