Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi, ka komentuar procesin dhe rezultatet e zgjedhjeve të pjesshme lokale që u mbajtën një ditë më parë në pesë bashki të vendit, duke theksuar se fituesit kanë “legjitimitet të plotë” sipas ligjit zgjedhor.

Në një deklaratë për mediat, Celibashi u shpreh se zgjedhjet janë zhvilluar në përputhje me standardet ligjore dhe se rezultatet janë të vlefshme, pavarësisht nivelit të pjesëmarrjes në votim.

“E konfirmoj që ata që janë zgjedhur kryetarë të këtyre pesë bashkive kanë legjitimitet të plotë sipas ligjit. Rezultati është legjitim,” deklaroi Celibashi.

Kreu i KQZ-së shtoi se çështja e pjesëmarrjes në zgjedhje mbetet më shumë një debat politik sesa ligjor.

“Do të mbetet diskutimi lidhur me përqindjen që kanë marrë në raport me popullatën ose jo. Për mendimin tim, nuk është domosdoshmëri të ketë një kufi të pjesëmarrjes për të konsideruar zgjedhjet të vlefshme,” tha ai.

Celibashi theksoi se, ndonëse ka qëndrime të ndryshme mbi këtë çështje, vlerësimi për pjesëmarrjen dhe përfaqësimin i takon forcave politike dhe vetë qytetarëve.

“Ka dhe një grup që mendon të kundërtën. Ta vlerësojë politika dhe partitë cili është interesi i qytetarëve. Për mua, edhe ata që nuk votojnë kanë një qëndrim mbi situatën,” përfundoi Celibashi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb