Ushtria izraelite është plotësisht e përgatitur për çdo skenar të mundshëm sigurie, përfshirë edhe mundësinë e një lufte të papritur. Kështu deklaroi Shefi i Shtabit të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), Eyal Zamir, gjatë një vizite në Komandën e Frontit të Brendshëm.

“Ne jemi plotësisht të përgatitur për çdo skenar me një mbrojtje gjithëpërfshirëse. Mësimet e nxjerra nga lufta 12-ditore kundër Iranit në qershor janë zbatuar në ushtri, dhe në këtë kontekst, IDF po përgatitet gjithashtu për mundësinë e një lufte surprizë”, u shpreh Zamir.

Ai theksoi se ushtria izraelite është e gatshme të përdorë “aftësi ofensive të papara” kundër çdo përpjekjeje që synon të dëmtojë sigurinë e Shtetit të Izraelit.

Ndërkohë, forcat ajrore izraelite po forcohen edhe më tej. Vetëm një ditë më parë, tre avionë të rinj luftarakë F-35, të prodhuar nga kompania amerikane Lockheed Martin, zbarkuan në bazën ushtarake të Nevatim, duke iu shtuar flotës ekzistuese prej më shumë se 40 avionësh të këtij modeli që janë tashmë në shërbim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb