Ish-deputeti i PD-së Klevis Balliu ka sulmuar ashpër kryeministrin Edi Rama në lidhje me arrestimet e protestuesve të zonës së Astirit pak ditë më parë. Teksa ndodhej pranë Gjykatës së Apelit, për të mbështetur këta banorë, Balliu kërkoi lirimin e 3 qytetarëve të arrestuar, pasi sipas tij ishin pjesë e një tubimi paqësor dhe të ligjshëm (Gjykata iu caktoi masën ‘arrest shtëpie’.

Mes të tjerash ai tha se një ndër arsyet e dështimit të negociatave me BE ishte dhe arrestimi i banorëve tek Unaza e Re pas protestave të tyre si dhe afera me projektin.

“Është e qartë dhe duhet të kuptojnë se këta banor nuk janë arrestuar as për konflikt me policinë, por kanë qenë në një protestë legjitime. Ajo ka qenë protestë e njoftuar dy herë. Ne kemi dhënë prova në gjykata se kur është njoftuar policia. Të vetmen gjë që bëhet në polici është të njoftosh. Arrestimi i tyre është flagrant. Në çdo tubim qytetarët kanë të drejtë të bllokojnë rrugën. Në Shqipëri, në Ballkan dhe në Europë. Arrestimi i tyre kalon logjikën. 13 persona, përfshi dhe unë, ne jemi jashtë, disa ende në burg. Ata banorë nuk po e mohojnë se kanë qenë pjesë e asaj protestë. Në atë protestë kanë qenë qindra persona. Ata mbahen për presion dhe dhunë. Arrestimet e tilla janë dhe arsye se pse nuk u hapën negociatat. Kur arrestohen këta banorë që nxorën lakuriq qeverinë për vjedhje, dhe nuk arrestohen përgjegjësit për projektin e aferës tek Unaza e Re. Janë arrestuar vetëm qytetarët e lirë dhe jo ata që abuzuan me projektin. Urrejtja personale ndaj Edi Ramës po i mban ata në burg. Me Ilir Katirajn ka urrejtje personale se e goditi me këpucë”, tha Balliu.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb