Vendimi i qeverisë për të kufizuar ndjeshëm muzikën në lokalet e natës dhe ambientet turistike ka shkaktuar reagime të forta nga bizneset dhe komuniteti i artistëve, të cilët e konsiderojnë masën një goditje të re për sektorin e argëtimit dhe turizmit.
Sipas vendimit të ri për menaxhimin e zhurmave, muzika në lokale do të jetë subjekt i monitorimit me matje decibelësh, ndërsa niveli i lejuar është përcaktuar në 45 decibel. Artistët pretendojnë se ky kufizim e bën praktikisht të pamundur zhvillimin e performancave live.
Këngëtari Endri Prifti ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama, duke kundërshtuar politikat e reja për muzikën në ambiente publike.
“O Rama, ku e ke parë këtë? Ia nxive jetën këtij populli, ia bëre skëterrë. Kaq shumë do ta shpopullosh këtë vend? Po dëmton turizmin!”, është shprehur ai.
Edhe vëllai i tij, këngëtari Stefi Prifti, ka kundërshtuar vendimin, duke thënë se artistët kishin shpresuar për një zgjatje të orarit të muzikës gjatë sezonit veror, në përputhje me praktikat e vendeve fqinje.
“Ekzistonte një fije shprese se mund të shtyhej pak orari i mbrëmjeve muzikore, sidomos në sezonin e verës. Por thjesht ka qenë iluzion”, shkroi ai.
Sipas Stefi Priftit, kufizimi i nivelit të zërit në 45 decibel e bën thuajse të pamundur muzikën live. “Me nivelin 45 decibel nuk mund të interpretohet live. Është e pamundur”, deklaroi ai, duke shtuar se vendimi prek jo vetëm këngëtarët dhe instrumentistët, por edhe bizneset që investojnë në aktivitetet muzikore.
Artistët argumentojnë se periudha e verës është një nga pak momentet kur kanë mundësi më të mëdha punësimi, pasi sezoni turistik sjell më shumë aktivitete në lokale, hotele dhe zona bregdetare.
“Janë vetëm 35-40 ditë ku ekziston kjo mundësi, nga 15 korriku deri më 20 gusht. Tani po e bëni thuajse të pamundur aktivitetin tonë”, u shpreh Prifti. Kritikat ndaj vendimit lidhen edhe me ndikimin e mundshëm në turizëm, ku sipas artistëve, muzika dhe aktivitetet kulturore janë pjesë e rëndësishme e ofertës për turistët.
Ata i kanë kërkuar qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse që ta rishikojnë masën, duke argumentuar se kufizimet e reja rrezikojnë të dëmtojnë një sektor ku punojnë mijëra artistë dhe biznese.
“Mos e paralizoni edhe atë pak gëzim që njerëzit marrin duke konsumuar diçka dhe duke dëgjuar muzikë. Njerëzit kanë nevojë të këndojnë, të kërcejnë dhe të argëtohen në ditët e pushimeve”, është shprehur Stefi Prifti.
