TIRANË- Armir Grima është një prej personave të arrestuar nga Policia si pjesë e grupit kriminal të Safet Bajrit. Grima, sot 44 vjeç është arrestuar në Shkodër.

Por Grima nuk është një emër i panjohur, ndonëse jo i lidhur më parë me ngjarje kriminale. Ai ka qenë portier i ekipit të futbollit të Vllaznisë në vitet 1998-2001, kohë kur ky ekip është shpallur kampion. Ai ka qenë edhe drejtor teknik i skuadrës, ndërsa ka mbajtur herë pas here edhe pozicionin e trajnerit në momentet kur Vllaznia ka pasur probleme.

Ai dha dorëheqjen nga pozicioni që mbante për shkak të angazhimit me kombëtaren e futbollit të femrave.
Grima ishte pjesë e grupit prej 11 personash të arrestuar në operacionin policor Oaz” të shtrirë në Tiranë, Shkodër, Roterdam dhe Holandë.

Në një konferencë për mediat, drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu bëri publike edhe emrat e personave të arrestuar, disa në Holandë, dhe disa në vendin tonë, të cilët ishin pjesë e grupit të Safet Bajrit, të ‘fortit’ të Shkodrës që u arrestua dje në Tiranë.

Akuzat ndaj anëtarëve të këtij grupi kriminal janë: “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, në bashkëpunim, “Vrasje me dashje”, e kryer në bashkëpunim, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, “Organizim i llotarive të palejuara”, “Pastrim i produkteve të veprës penale” të kryer në bashkëpunim, “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë”, kryer në bashkëpunim, “Përkrahje e autorit të krimit”, ‘Moskallëzim krimi”, “Prodhim e shitje e lëndëve narkotike”, vepra penale këto të kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb