NGA OLA MITRE*

TIRANË- Në bazë të evidencave të marra nga sektori i shëndetit, së paku 30 minuta aktivitet fizik i moderuar, kryer gjatë 5 ditëve të javës, do të reduktojë rrezikun nga sëmundjet e zemrës, obeziteti dhe diabeti deri në 50 për qind. Të dhënat i përkasin Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe bëhen publike në kuadër të Ditës Botërore të Promovimit të Aktivitetit Fizik.

Po ashtu, sipas kësaj organizate, aktiviteti fizik redukton në mënyrë të dukshme sëmundjet hipertensive dhe pasojat psikologjike të jetës sedentare, si: stresi, ankthi, depresioni etj. Ndërkaq, sipas specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik, është tepër e rëndësishme që dieta e shëndetshme të kombinohet me ushtrime e lëvizje të nevojshme, për të minimizuar jetën sedentare, që është faktor rreziku i zakonshëm për shumë sëmundje kronike.

“Mënyra aktuale e jetës ka çuar në minimizim të aktivitetit fizik, si pasojë e rritjes së përdorimit të makinave, shikimit të televizorit dhe aktivitetit të paktë fizik në shtëpi, për shkak të modernizimit të aparaturave elektrike. Kësaj i shtohen edhe zakone të tjera të mënyrës së jetesës, si: pirja e duhanit apo shtimi në peshë, të cilat kontribuojnë në rritjen e rrezikut ndaj sëmundjeve kronike”, shprehen specialistët e ISHP-së. Pikërisht duke iu referuar këtyre rreziqeve, ata theksojnë se aktiviteti fizik ka shumë efekte përfituese në drejtim të shëndetit, pavarësisht nga mosha e gjithsecilit.

“Njerëzit, të cilët bëjnë jetë të shëndetshme dhe që rregullisht përfshihen në ushtrime të moderuara, kanë më pak mundësi të vuajnë nga sëmundjet kronike, sëmundjet kardio-vaskulare, sëmu-ndjet tumorale apo sëmundjet mendore. Gjithashtu, personat me aktivitet fizik ditor të përhershëm mund ta mbajnë peshën e tyre trupore në normat e lejuara, po të krahasohen me personat që janë më pak aktivë”, thonë specialistët.

Aktiviteti fizik nënkupton një sjellje që përfshin lëvizjen e gjithë muskulaturës për aktivitete të ndryshme të kryera gjatë ditës. Ushtrimet nënkuptojnë një grup aktivitetesh fizike që me lëvizjet që kryhen përmirësojnë veprimtarinë e sistemit muskular dhe atij kardio-respirator. Megjithatë, ai ndryshon në varësi të grupmoshave të ndryshme. Për këtë arsye, specialistët e ISHP-së japin një sërë rekomandimesh për moshat 3-6 vjeç, 6-18 vjeç, 18-65 vjeç dhe +65 vjeç, të cilat mund t’i gjeni në tabelën dhe ‘piramidën e aktivitetit fizik’, bashkëngjitur shkrimit. Ajo që vihet re është ndarja e aktivitetit fizik në “të moderuar” dhe “të fuqishëm”. Dallimet mes tyre, gjithmonë duke iu referuar specialistëve, i gjeni në tabelën tjetër që shoqëron këtë shkrim.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: