Nga Nisida Tufa
Ka rreth tre javë që ka nisur viti i ri shkollor. Përmes medias është përcjellë çdo risi e çdo hap përpara në të mirë të të gjithë atyre që ulen në bankat e shkollës, që prej klasës së parë e deri në vitin e fundit të gjimnazit. Qeveria u kujdes të prezantonte e promovonte paketën e re të sigurisë për shkollat dhe deri këtu gjithçka në rregull duke shpresuar që të jetë sa më shumë rezultative.

Por jo gjithçka nisi mirë, e jo për çdo nxënës, shkollë e fshat. Në disa prej rasteve që në televizionin News24 kemi përcjellë për shikuesin duke treguar me zë e figurë se ku procesi mësimor nuk nisi siç duhet, njëri bëri edhe më tepër përshtypje se të tjerët. Një panoramë e dhimbshme që sjell një tjetër realitet që askush s’do donte ta jetonte, e për më tepër për fëmijët! Është fjala konkretisht për shkollën në Funarës të Librazhdit, e dëmtuar dhe shpallur e pafrekuentueshme që prej tërmetit të Nëntorit të vitit 2019. Prindërit që prej 4 vitesh, i kanë dërguar fëmijët e tyre jo në klasa, por në ambiente të ndara të improvizuara për mësim.

  • foto galeri
  • foto galeri

Njëri ambient i përket një lokali të fshatit, një tjetër një lokali afër të parit si edhe në disa banesa të braktisura. Këto, për 100 fëmijë të kësaj shkolle, nga klasa e parë në të nëntën. Dhe mesa duket durimit të prindërve u erdhi fundi. Me nisjen e këtij viti shkollor, ata vendosën të mos i lejojnë më fëmijët e tyre në këto ambiente të papërshtatshme në formën më të drejtë të rebelimit të tyre. Me gazetarin Osman Stafa qëndruam bashkë për minuta të tëra në transmetim të drejtpërdrejtë duke shkuar cep më cep të këtyre ambienteve ku me “bankat” bosh të improvizuara në lokale, mësuesit prisnin më kot fëmijët.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Dëgjuam e përcollëm shqetësimin e prindërve që dëshpërimisht kërkonin një ambient normal për fëmijët sikurse mikrofoni ju drejtua edhe arsimtarëve, njëra prej të cilave, një mësuese e klasës së parë këtë vit priste t’u mësonte nxënësve të saj abetaren. U tregua më e sinqerta dhe e drejtpërdrejta, që edhe pse ishte në vendin e saj të punës që e kishin urdhëruar por jo në terrenin ku duhet të ishte, i jepte të drejtë absolute nxënësve e prindërve se në këto 4 vite, ishin në harresë të plotë. Sipas saj kushtet ishin vërtetë skandaloze dhe se duhej gjetur sa më shpejt një zgjidhje që fëmijët mos mbeten pa mësim e analfabetë.

“Ambientet janë skandaloze, por edhe fëmijët nuk mund të rrinë pa shkollë. Ne edhe në ditë pushimi kemi ardhur dhe kemi sistemuar shkollat. 6 nxënës të klasës së parë janë, por që kanë zgjedhur mos të vijnë. Duhet gjetur një zgjidhje”- vijoi të na shpjegonte mësuesja ndërsa drejtori i shkollës as që afrohej të dukej gjëkundi nga frika se mos i drejtohej mikrofoni.

Dhe pas këtyre shqetësimeve e denoncimeve që ne si televizion pasqyruam deri në detajin më të imët, këto ditë duket se vjen një dritë jeshile. Autoritetet reaguan dhe po përcjell fotot dhe imazhet që faktojnë se diçka po lëviz për mirë në rikonstruksionin e kësaj shkolle, që më në fund fëmijët të hyjnë në të dhe të kenë të drejtën e një mësimi normal. Pamja tregon se kamionët kanë sjellë gurët e zallit, gurë të mëdhenj që shërbejnë për dranazhimin dhe mbushjen e themeleve fillimisht. Fotot m’i dërgon një prej prindërve duke më informuar se pranë shkollës ka parë edhe mbërritjen herë pas here të personave përkatës e përgjegjës për rregullimin e saj. Fillimisht mbërritën përfaqësues nga Gjeoshkenca në Tiranë të cilët dhanë urdhrin për t’i hapur rrugë nisjes së punimeve.

Brenda këtij lajmi të mirë për banorët e zonës është gjithmonë frika nëse do të vijojnë intensivisht këto punime, apo gjithçka bëhet për të larguar vëmendjen momentale nga një shkollë e cila krijoi një ndjeshmëri të lartë për të gjithë. Aktualisht ajo që dimë e na faktohet është që u dha leja për të filluar nga puna dhe mbërritja e disa materialeve, por ritmi i ngadaltë nuk mund të mohohet.

Banorët thonë se janë gjithmonë me rrezikun prezent se situata mund të ndalojë me rindërtimin dhe ata vetë u treguan tolerantë që të pranonin të ridërgonin fëmijët në këto ambiente të lokaleve e banesave të braktisura duke i dhënë fund protestës. Por sipas tyre protestat ekstreme përsëri do të bëhen të pranishme në momentin e parë që do të shohin se punimet po ngadalësohen deri në ndalim. Aktualisht punimet nga brenda shkollës nuk kanë filluar sepse fokusi tani është te çatia dhe fortifikimi i saj, por vigjilenca nuk u mungon, sikurse ne gazetarëve për ta rikthyer këtë rast edhe njëherë nga fillimi, me imazhet dhe detajet nga afër për këtë shkollë e jo vetëm!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb